Zgjedhjet i fituam, tani të bëjmë programin bashkë me popullin....

Postuar në 29 Qershor, 2017 22:04

Përmes një postimi në rrjetet sociale kryeministri Rama lajmëroi një tur dëgjesash me qytetarët për të kuptuar siç tha ai "me sa më shumë vërtetësi, çfarë duhet të korrigjojë e përmirësojë forca e madhe dhe e  suksesshme politike, por me jo pak të meta si Partia Socialiste"

Me pak fjalë një shumicë që sapo ka marrë verdiktin për të  përmbushur programin qeverisës me të cilin kërkoi votën del dhe shpall një tjetër fushatë për të dëgjuar nga qytetarët se çfarë duhet të bëjë me pushtetin që i ka dhënë populli. "Po e përsëris që fitorja i takon Shqipërisë dhe njerëzve të zakonshëm të saj, ndërsa e imja, e jona si të zgjedhur për të udhëhequr vendin, është vetëm barra e shumëfishuar e përgjegjësisë qeverisëse"-thekson Rama. 

Pyetja është për çfarë shërbeu fushata elektorale më shumë se një mujore dhe takimet me qytetarët përveçse për t'u njohur me programin qeverisës të partisë në fjalë edhe për të reflektuar mbi nevojat dhe shqetësimet e tyre? Është e vërtetë që fushata e personalizuar e kryeministrit nuk u përqëndrua në programin e Partisë Socialiste, por në një retorikë mbi nevojën për të qeverisur i vetëm, të ngritur mbi metaforat e tepsisë dhe timonit.

Askush nuk mund të përmend një premtim të kryeministrit në fushatë lidhur me reformat fiskale që do të bëjë qeveria e tij. Dhe pas gjithë kësaj fushate të shënosh me laps e letër se çfarë duhet bërë, sipas asaj që mendojnë qytetarët është të rishkruash një kontratë të re me ta, pasi u ke marrë votën për të bërë shtet.  Qasja ngjan si populiste dhe mund ta përkthejmë fare mirë me sloganin komunist, "Ç'thotë populli bën partia dhe ç'thotë Partia bën Populli."

"Dhe më e rëndësishmja, si ta bëjmë këtë reflektim sa më gjithëpërfshirës, duke mos folur e dëgjuar vetëm mes njëri-tjetrit, po duke dëgjuar edhe të tjerët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, sa më shumë prej tyre, qofshin ata që na kanë votuar qofshin ata që nuk na kanë votuar?"- shkruan Rama. 

Mesazhi është të konsiderohet pjesë e qeverisjes edhe pjesa që nuk e ka votuar Zotin Rama, pra edhe kundërshtari. Ky i fundit (Lulzim Basha) nuk është trajtuar si humbës nga një parti që nuk i ka kursyer etiketimet dhe revanshin e luftës politike. Askush nga Partia Socialiste nuk ka anatemuar apo goditur atë që deri dje trajtohej si zëdhënës i SHQUP-it.  Ndoshta për të ndarë përgjegjësitë e një bashkëqeverisje nëse populli do ta kërkojë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.