Një devijim jo transparent nga programi për bujqësinë

Postuar në 01 Qershor, 2017 22:17

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj bëri në Gosë të Kavajës një premtim nëpër dhëmbë për heqjen e tvsh-së për inputet bujqësore, pjesë sipas tij e  programit të Partisë Socialiste për bujqesinë. Nëse ndërmerret kjo masë prek 31.300 fermerë që janë regjistruar si subjekte private nga kjo qeveri. 
"Në Programin e Partisë Socialiste për mandatin e dytë qeverisës, bujqësia është një nga shtyllat kryesore të Programit, përmes promovimit të fermave mbi 5 hektarë per rritjen e produktivitetit si dhe mbështetjen direkte të fermerëve, përmes skemave direkte të financimit apo masave lehtësuese si përjashtimi nga TVSH I imputeve bujqësore"-deklaroi Ahmetaj.
Këto deklarata bëhen në një kontekst kur skema për rimbursimin e tvsh-së në sektorin e bujqësisë mund të konsiderohet e dështuar. Më shumë se dy vite më parë, qeveria e rriti masën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi nga 6 përqind, në 20 përqind, por ky mekanizëm nuk funksioni. 
Më skemën e ripunuar të vitit 2015 nga qeveria Rama faturat do dorëzoheshin pranë drejtorive rajonale te Ministrisë së Bujqësisë dhe pas verifikimeve përkatëse, brenda pak muajve fermeri do të përfitonte rimbursimin në masën 20 % të TVSH-së. Por kjo skemë dështoi. Këtë e ka pranuar vetë kryeministri në një takim që pati tetorin e kaluar në Divjakë: “Siç mund të krenohemi me jo pak pika që janë të zgjidhura, mund të themi se kjo është një pikë që nuk mund të krenohemi. Që të mos bëjmë politikë, nuk e kemi zgjidhur dot përfundimisht këtë çështje. Kemi patur një kurajo që të bëjmë rimbursimin më të lartë në Evropë. 25 % të TVSh në bujqësi nuk e ka njëri, por jemi të vetëdijshëm që të marrim kosto. E kemi menduar ndryshe, tani do ta studiojmë mirë këtë punë për të parë pse nuk ka funksionuar, dhe si mund ta bëjmë të funksionojë. E rëndësishme është që të mos ketë humbje dhe devijime”-tha asokohe Rama. http://balkanweb.com/site/rama-e-pranon-para-qytetareve-te-divjakes-nuk-...
Një ndër shoqatat, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar i ishte drejtuar ministrisë së Financave për gjetjen e një zgjidhje, por nuk mori asnjë herë asnjë përgjigje. “Kemi shkuar deri në ministri të financave për këtë problem në mënyrë të tillë që kjo çështje të stabilizohet, por s’kemi marrë asnjë përgjigje. Rimbursimi i TVSH është një domosdoshmëri dhe rimbursimi në kohë është një lehtësim shumë i madh sepse 20% e tvsh-së është një kosto shumë e madhe që rëndon padrejtësisht prodhuesin kur ai nuk e merr”-tha Agim Rrapaj për RTSH. https://rtsh.al/lajme/rimbursimi-i-tvsh-i-deshtuar/
Heqja e tvsh-së për inputet bujqësore ishte premtuar nga qeveria Berisha në 2013 dhe pak ditë para se ligji të hynte në fuqi, konkretisht me 02.05.2013, me Ligjin nr. 114/2013 me një fjali të thatë, “Shfuqizohet ligji nr. 111/2013” ligji u “abortua” ende pa ardhur hyrë në fuqi. Tani është minsitri Ahmetaj që e premton në fushatë elektorale, por garancitë për ta çuar më tej pas zgjedhjeve janë minimale, pasi qeveria nuk ka parashtruar një draft të detajuar dhe për sa kohë nuk është transparente edhe lidhur me faturën financiare të këtij devijimi edhe ky premtim mbetet në kuadrin e karemit elektoral. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.