Vota në OKB, Nishani: Ministri i Jashtëm gënjen

Postuar në 06 Shkurt, 2017 20:09

Votimi i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën e hapjes së negociatave për traktatin e ndalimit të armëve bërthamore ka rihapur sërish serialin e përplasjeve mes Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushatii.

Ky i fundit deklaroi në Komisionin e Jashtëm se Presidenti i Republikës ka marrë sqarim në rrugë institucionale mbi qëndrimin e mbajtur nga vendi ynë në votimin e OKB-së më 23 dhjetor dhe konsultimet e zhvilluara me vendet partnere për këtë rezolutë.

Por Presidenca ka sqaruar se deri më  sot nuk ka patur asnjë informacion apo shpjegim me shkrim apo verbal të ardhur nga Ministri i Punëve të Jashtme për Presidentin e Republikës dhe e ftoi Bushatin ta bëjë publike shkresën të cilës i referohet.

“Institucioni i Presidentit të Republikës kërkon nga Ministri i Punëve të Jashtme të mos disinformojë strukturat e Kuvendit të Shqipërisë dhe opinionin publik me të pavërteta, veçanërisht për çështje kaq thelbësore për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet aleate strategjike dhe partnere në NATO, ndaj ftojmë Ministrin e Jashtëm të bëjë publike shkresën të cilën ai pretendon se ka informuar në rrugë institucionale Presidentin e Republikës!”

Shqipëria votoi pro rezolutës për traktatin e ndalimit të armëve bërthamore, ndryshe nga sa kishin kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i diplomacisë shqiptare ka sqaruar se, vota “pro” rezolutës dhe njëkohësisht në kundërshtim me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte një gabim njerëzor, e menjëherë është kërkuar ndryshimi i saj. “I njëjti gabim, për të njëjtën rezolutë, është bërë edhe nga dy vende të tjera, përkatësisht Itali dhe Estoni. OKB-ja do të publikojë votën kundër të korrektuar të Shqipërisë në mars të këtij viti”, deklaroi ministri i Jashtëm Bushati.

Vlen të kujtohet se ministri i Jashtëm i Shqipërisë vizitoi Iranin pas fitores së Donald Trump, ndërkohë që ky i fundit ishte shprehur kundër qëndrimeve të Obamës për raportet me Iranin dhe programin bërthamor.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.