Abc News: Draft rezolutë e BE-së që tejkalon ngujimin te Vettingu

Postuar në 09 Dhjetor, 2016 15:43

"Abc News" raporton sot për një draft rezolutë të Këshillit të Europës, hartuar nga 28 ambasadorët e përhershëm të BE-së që përfshin 8 pika për Shqipërinë, si kritere për t’u përmbushur në kuadër të hapjes së negociatave. Drafti do të diskutohet në datën 13 dhjetor, ditë kur Shqipëria pret një vendim. Kërkesat janë:

1. Së pari, Këshilli i ministrave të BE-së i kërkon Shqipërisë zbatimin e reformës së drejtësisë për rritjen e profesionalizmit, pavarësisë dhe efiçencës së këtij sistemi, përfshirë gjykatat dhe ligjin e vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Vlerësohet drejtimi pozitiv për krijimin e një gjurme provash në hetimet, ndjekjet dhe dënimet përfundimtare, po kërkohen rezultate konkrete dhe të qëndrueshme. 

2. Këshilli i kërkon Shqipërisë të intensifikojë përpekjet dhe arritjen e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, të sigurohen arritje në shkatërimin e rrjeteve të krimit të organizuar dhe të trajtohen problemet e prodhimit dhe trafikut të drogës. Për Këshillin, numri i ulët i dënimeve për raste e krimit të organizuar, përfshirë rastet e pastrimit të parave dhe trafikut të qënieve njerëzore mbetet një çështje për t'u trajtuar përmes masave si bashkëpunimi i zyrës së prokurorisë dhe policisë së shtetit. Këshilli sheh progres në luftën kundër radikalizimit dhe ekstremizmit. 

3. Këshilli nënvizon rëndësinë e forcimit të masave për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të politikave antidiskriminuese, duke përfshirë trajtim të njëjtë për të gjitha minoritetet dhe aksesin e personave që i përkasin këtyre minoriteteve në gjithë Shqipërinë, si dhe zbatimin e plotë të ligjit të pronave. Në këtë kontekst, Shqipëria duhet të trajtojë boshllëqet në aspektin ligjor. 

4. Këshilli mirëpret miratimin e  ligjit për pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur, të emëruar apo që ushtrojnë poste publike dhe ndryshimet kushtetuese lidhur me këtë. Zbatimi i kësaj kornize që mundëson përjashtimin e personave të inkriminuar nga postet publike është kyçe për rritjen e besimit të qytetarëve te përfaqësuesit politikë apo institucionet publike. 

5. Këshilli konsideron se Shqipëria duhet të përforcojë përpjekjet për të luftuar ekonominë informale për forcimin e klimës e biznesit dhe investimeve dhe të ndjekë në mënyrë vigoroze konsolidimin fiskal. 

6. Këshilli konsideron, se dialogu midis qeverisë dhe opozitës për reformat e integrimit mbetet kyç për avancimin e vendit në integrimin europian. Një rëndësi të veçantë ka gjithashtu finalizimi i reformës elektorale duke përmbushur rekomandimet e OSBE/ODHIR mjaftueshëm para zgjedhjeve parlamentare, në mënyrë që të sigurohen zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare. 

7. Këshilli mirëpret qasjen konstruktive në politikën rajonale të Shqipërisë dhe thekson  rëndësinë e sigurimit të fqinjësisë së mirë, që mbetet thelbësore. Aksione dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet bilaterale duhen të evitohen.

http://www.abcnews.al/lajme/politike/1/78325

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.