Opozitarizmi e ka rrëzuar qeverinë. Opozita ende jo...

Postuar në 14 Shtator, 2016 20:20

Ka një përpjekje për të mbuluar, në mos mohuar fare përgjegjësitë politike të PD-së dhe Lulzim Bashës në humbjen e Dibrës. Arsyet që jepen janë po ato: votat u blenë, hashashi që është ekonomi dhe presion bëri punën e vet etj.. Vetë kryetari i PD-së, Basha, foli sot për aleancën e krimit me politikën. Më herët kryeministri Edi Rama falënderoi dibranët, njësoj si aleati i tij i preferuar PDIU, ndërkohë që LSI-ja nuk ka një qëndrim për zgjedhjet, ndonëse formalisht ishte në krahun e PS-së.

Le t’u hedhim një sy shifrave:

Në vitin 2015 votuan 31 955 njerëz në Dibër, prej të cilëve Shukri Xhelili i aleancës PS-LSI...mori 15 027 vota. Kandidati i PD-së asokohe, Ilir Krosi mori 14 588 vota. Në përqindje kjo shkonte në raportin 48.10% me 46.70%. (http://www.cec.org.al/Portals/0/Documents/CEC%202013/zgjedhje-vendore/2015/rez_hetml/151123_-_buletin.htm).

Vijmë në zgjedhjet e kësaj të djele.

Nga sa është raportuar kemi këto shifra:

Kanë votuar 33978 njerëz prej të cilave Muharrem Rama i koalicionit qeverisës ka marrë 18 602 vota (56/3%), kurse Sherefedin Shehu i PD-së dhe aleatëve të vet ka marrë 14 435 vota(43.7%).  Në numër absolut votash Shehu ka marrë 153 vota më pak sesa Ilir Krosi në vitin 2015. Një shifër e papërfillshme. Ndërkohë kandidati i koalicionit qeverisës, Muharrem Rama ka marrë 3575 vota më shumë sesa Shukri Xhelili në vitin 2015 që është një thellim rezultati mes kandidatëve të të dyja kampeve me 3136 vota(http://www.balkanweb.com/site/zgjedhjet-ne-diber-muharrem-rama-fiton-me-mbi-4000-vota-sherefedin-shehu-humb-edhe-ne-vendlindje/).

Nga këto shifra del se Sherefedin Shehu i ka marrë thuajse të gjitha votat që u dhanë për Krosin në vitin 2015, me një zbritje fare minimale. Shpjegim kërkon rritja e stërmadhe e votave të Muharrem Ramës që vinte pas skandalit të Shukri Xhelilit. Nëse sheh debatet që janë publikuar nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PD-së, publikuar në disa media, duket se ideja për blerje masive votash besohet realisht. Varfëria dhe uria shihet si kusht që edhe një thes miell të ketë bërë punë. Për të gjitha këto prokuroria e Dibrës ka hapur një hetim penal dhe ajo disponon pamje filmike. Do të duhet të pritet përfundimi i hetimit, i cili nëse konstaton blerje të votave duhet të detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të shpallur pavlefshmërinë. Skenar ky i së ardhmes.

Vijmë te përgjegjësia e lidershipit të PD-së që sot mbulohet. Në fjalimin e tij të datës 26 gusht në Dibër, Lulzim Basha ndër të tjera tha:

Është shumë e thjeshtë, vëllezër e motra. Edi Rama nuk e do Dibrën dhe dibranët dhe këtë e ka vërtetuar me dhjetëra herë. Por do votën tuaj që të kapë paratë për Rrugën e Arbrit, do votën tuaj që të kapë qindra miliona euro për Skavicën. E do Dibrën si plaçkë, e do Shqipërinë si plaçke, jo për dibranët dhe jo për shqiptarët. Por kujt mendon se do ia hedhë kësja radhe?! Dele i di njerëzit?! Dele i di dibranët?! Ma hodhe njeherë, mu qërroftë njëri sy. Ma hodhe herën e dytë u bëfsha qorr. E ka thënë saktë mençuria dibrane. Me dhjetëra mesazhe, telefona dhe dje këtu në bulevard kam marrë nga socialsitë dibranë. Çfarë më kanë thënë?! Nuk ia dorëzojmë Dibrën bandave! Faleminderit motra dhe vëllezër dibranë, socialiste e socialistë dibranë. Kjo është besa juaj, ky është paralajmërimi juaj. Është betimi i tyre si dibranë të ndershëm edhe si socialist të ndershëm. Mirësevini në betejën për Dibrën. Bashkë do ta fitojmë...Paralajmërimi që kemi bërë para disa ditësh dua ta përsëris sot; Edi Rama dhe bandit e tu, larg duart nga zjarri se do të përvëlohesh. Larg duart nga vota e lirë në Dibër se do të digjesh e do të shkrumbohesh. Le ta dëgjojnë edhe emisarët e tij të krimit që vijnë rrotur në Dibër si çakenj zaberhanë. Dibra nuk e dorëzon votën me asnjë çmim...”( http://www.pd.al/2016/08/nuk-ja-dorezojme-dibren-bandave-dibra-jo-placke-per-ramen-dibra-per-dibranet/).  

Shihet pra qartë se Basha ka folur për një fushatë jo normale, për një fushatë që zhvillohet në një situatë të jashtëzakonshme. Ai kishte besën e dibranëve që nuk do ta votonin Edi Rama, kërcënoi këtë të fundit se do të përvëlohej, e megjithatë sot dëgjojmë diçka krejt tjetër. Dëgjojmë një PD që flet e befasuar nga ajo që ka parë në Dibër, për një drejtues opozite që ripremton se do të bëjë namin për të shpërbërë aleancën e krimit, e cila po e mund për të dytën herë.

Lulzim Basha dhe PD-ja kanë humbur duke shpallur paraprakisht betejë epike me krimin, çka na provon më së paku se partia kryesore e opozitës parlamentare nuk ka ende një strategji, energjitë dhe kapacitetin për t’u përballur me një sfidë të tillë. Kjo është një sfidë që vë në diskutim lirinë e qytetarëve shqiptarë, atyre që ende besojnë në të, sa kohë që fitorja e krimit siç na e servir opozita qenka kaq e lehtë, ndonëse bëhet kaq hapur.

Për demokratët, anëtarët apo edhe deputetët, Lulzim Basha mund të mos ketë përgjegjësi. Kjo ka ndodhur shpesh në partitë shqiptare, por përgjegjësia e tij ndaj qytetarëve që nuk dëshirojnë të shohin edhe njëherë fitoren e këtij koalicioni, ajo nuk shmanget. Sepse me tjetër gjuhë duhet të flasë kryetari i PD-së nëse dëshiron të dëgjohet dhe përfillet ende si alternativë. PD-ja sot po na thotë se qytetarët dibranë që i kishin dhënë besën kryetarit të saj, dolën në votime për të shitur votën për vetëm 50 euro. Kaq vlen atëherë edhe fjala e Bashës, në mos më pak për dibranët. Sepse kaq edhe është vlera reale që perceptohet tek oferta e opozitës.

Dhe kjo është patjetër përgjegjësi jo e vogël, edhe pse fjala përgjegjësi politike qëllimisht ngatërrohet me fjalën “prerje koke”. Opozita po bën përpjekje dhe në njëfarë mënyre po ja del që të zyrtarizojë skenarin e një përballjeje simbolike krejt atipike për vitin 2017:  Përballjen e saj si parti vlerash me Mafien e drogës që ka kapur vendin. Për Mafien ka të drejtë dhe kjo po shihet. Por për partinë e vlerave ku gjallojnë ish-ministra të nginjur jo keq në 8 vite qeverisje, nuk të beson njeri dot. Partinë që po përgjërohet për aleancë me Ilir Metën...

Edi Rama e pati të lehtë të bindte një shumicë njerëzish se ai ishte të paktën ndryshe nga Sali Berisha, edhe pse kjo nuk i bëri punë. Basha ka problemin se duhet të bindë njerëzit se ai është vërtet një lider opozite në një vend ku opozitarizmi po tejkalon rrezen e një opozite parlamentare që nuk di të fitojë dhe u përvidhet përgjegjësive. Sepse edhe varfëria ekstreme në thelb është Opozitë ndaj qeverisë. Por këtë ka detyrë ta kapitalizojë kreu i PD-së me të vetët.

 

Comments

Submitted by Arben (not verified) on

Po me kujtohet ne 2001 nje cudi ne aparence kur kandidati i AD, Arben Imami ne ate kohe ishte figure e paster pa asnje defekt politik, merr ne zonen zgjedhore ne Kruje vetem 1.5%, perballe dy kandidateve krejtesisht te panjohur e rajonale te PD e PS me mbi 90% te dy se bashku edhe pse Imami kishte zhvilluar fushate intenzive (te pakten ne media)! Perfundimi, katastrofe! Duket sikur kane te bejne me teper interesat e lidhjet lokale me njerezit qe kane individet konkurues dhe 'muskujt' e partive qe i qendrojne prapa! Votuesit pra nuk qenkan aspak sensibel por paskan vetem interesa konkrete! Shumica e derrmuese e tyre te pakten! Prandaj eshte pa kuptim te sulmohet opozita per Dibren, sepse revolucionet ne mentalitetin e njerezve nuk fillojne nga zonat rurale! Me teper shqetesues duhet te jete rezultati i opozites ne Tirane dhe Durres, ku e majta ka dyfishin e votave te se djathtes! Te mos ishte Shkodra do rrezikonim te beheshim vend monist ne nje te ardhme te aferme! Edhe nqs kjo opozite nuk eshte e mire nuk po shohim ndokend me kuraje te formoje nje opozite ndryshe, por vetem servilizem ndaj Rilindjes me shpresen e therrimeve qe mund te perfitojne! Nuk kemi mentalitet europian si popull per demokracine! Jemi stonature e prandaj nuk formojme shtet!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.