Peripeci për të shkuar dhe për të pushuar në Durrës

Postuar në 02 Shtator, 2016 15:02
Ilir Hashorva

​Si çdo vit, u nisëm nga Amerika për të kaluar pushimet në plazhin e Durrësit, ku kemi blerë një apartament në katin e sipërm të një pallati, i cili ka një verandë të madhe ku ndien freskinë dhe aromën e detit si dhe sheh pamjen e bukur të tij. Nga Amerika, me më pak shpenzime, mund t'i kalosh pushimet në zonën e Karaibeve, apo në vetë Amerikën, ku ka plazhe të mrekullueshme e plot aktivitete zbavitës, por ne nostalgjinë e kemi për vendin dhe njerëzit tanë.

​Kur u nisa nga Tirana për në plazh, më erdhën ndër mend kujtime të vjetra të shumë e shumë viteve të shkuara, kur si fëmijë, me një boçe të vogël me bukë, domate e pak djathë, me gëzim, i hipnim trenit me qymyr, i cili na ndalonte mu në plazh, aty pinim edhe ndonjë aranxhatë, një pije e këndshme e freskuese që më pas u zëvendësua padrejtësisht nga "coca-t dhe cola-t". Në njëfarë periudhe treni kishte edhe vagonë verorë të cilat ishin krejt të hapura. Pjesa më e bukur e udhëtimit ishte futja në tunel. Në mungesë të dritave, të gjithë bërtisnim, fishkëllenim, ngacmonim njëri-tjetrin. Udhëtimi zgjaste më pak se 1 orë. Ditët e diela treni mbushej aq shumë, saqë edhe vagonët e mallrave ishin plot me njerëz. Laheshim e luanim ku të donim, takonim plot të njohur, njihnim gati gjysmën e plazhit. Edhe më pas, plazhi i Durrësit mbetej një nga vendet më të bukura. Në këtë kohë trenat u bënë me vagonë më të mirë dhe me lokomotiva me naftë. Tashti ishin ndërtuar edhe disa hotele të mira dhe mund të shkonim që të shtunën dhe të dielën të gdhiheshim në plazh. Erdhi koha kur filluan të vinin edhe turistë nga vendet e "Demokracive Popullore": gjermanë, çekosllovakë, hungarezë etj. Ata e zbukuronin plazhin, visheshin ndryshe, mbanin aparate fotografike në qafë, kishin pajisje të bukura e të larmishme plazhi, përdornin kremra plazhi e parfume gjithfarëshe. Ne na bënin shumë përshtypje, i shihnim me kureshtje dhe zili, na dukeshin si njerëz të ardhur nga planetë të tjerë, mbase edhe ne ashtu u dukeshim atyre. Disa, më guximtarët, më të hedhurit, edhe u flisnin, edhe miqësoheshin me ta, ndonëse ishte e ndaluar. Mbrëmjeve në disa pista kishte muzikë që luhej nga orkestra të mira dhe kërcehej, muzika ishte nga më të zgjedhurat e kohës. Plazhi kthehej në një oaz lirie dhe dëfrimi për të gjithë. Më pas, kur dolën radiot me tranzistorë, të gjithë mbanin nga një radio dhe të gjitha radiot ishin sintonizuar në të njëjtat stacione, në stacionet italiane. Një sfidë masive ndaj regjimit në kërkim të lirisë së mohuar.

​Kur treni kthehej përsëri në Tiranë, rruga e bulevardit të madh nga ana e stacionit të trenit, mbushej plot e përplot me njerëz njëlloj siç mbushej edhe pjesa e tjetër e atij bulevardi nga ana e stadiumit kur mbaronte ndonjë ndeshje futbolli. Tashti dy nga pikat referuese të Tiranës: Stacioni i Trenit dhe Stadiumi Kombëtar, mjerisht, nuk ekzistojnë më, as aranxhata. I mori me vete modernizimi!
​Në vend që Shqipëria të bënte atë që bën gjithë bota, të vendoste lidhje me trena të vegjël elektrikë, të shpejtë e të shpeshtë, që të lidhnin dy qytetet tona të mëdha fqinje: Tiranën dhe Durrësin e nisja e tyre të bëhej mu në qendër të qytetit, e prishën edhe atë lidhje arkaike që ekzistonte me ata trena primitivë, por sidoqoftë funksionalë.

​Për të vajtur tashti në plazh me mjetet e transportit publik, të vëna në dispozicion në mungesë të trenit, duhet të mendohesh mirë, sepse autobusët për atë udhëtim e kanë vendin e parkimit shumë larg qytetit. Po ta kesh shtëpinë larg qendrës, të duhet të marrësh një apo edhe dy autobusë urbanë të cilët duhet të të çojnë në qendër. Aty të duhet të marrësh një autobus tjetër i cili te çon te dogana, shumë larg në dalje të Tiranës, ku parkojnë autobusët që të çojnë në Durrës. Nga Durrësi të duhet të marrësh një autobus tjetër i cili të çon në plazh. Një marrëzi e studiuar mirë nga ata që drejtojnë punët e shoqërisë shqiptare! Në vend që të mendojnë se si t'ua lehtësojnë jetën njerëzve, mendojnë si t'ua ndërlikojnë. Një marrëzi tjetër e gjen në stacionin e autobusëve: në vend që të gjesh mikrobusë me kapacitet 12-16 vende që të mbushen shpejt e të venë e vinë më shpesh, gjen autobusë me mbi 60 vende që duan orë për t'u mbushur dhe, pavarësisht se thonë se autobusët kanë orar të nisjes, ata nuk nisen pa u mbushur, ose nisen kur vjen autobusi tjetër. Kështu, një udhëtim Tiranë-Durrës, që mund të zgjaste rreth 30 minuta, shkon mbi dy orë. Por nuk është shumë problemi i kohës për shqiptarët, ata kanë kohë sa të duash me të cilën nuk dinë ç'të bëjnë, për shumë të tjerë nuk është edhe problemi i pareve që shkon edhe sa dyfishi i biletës së autobusit për në Durrës, për ta është më shumë problemi i mundimit, të cilin e ndien gjithkush. Është mundimi i udhëtimit një nga arsyet që plazhin më me vlerë të Shqipërisë, plazhin e Durrësit, Tirana thuajse e ka braktisur.

​Arritëm në plazh. Ç'të shohim? Një pronar i ri që ka blerë ca garazhe të pallatit ku kemi apartamentin, i ka kthyer ato në lokale dhe ka përvetësuar të gjitha mjediset e përbashkëta të pallatit, ka ndryshuar strukturën e tij, duke shembur e ngritur mure, duke frikësuar kështu edhe banorët nga mundësia e shembjes së pallatit vetvetiu, apo nga ndonjë tërmet i dobët. Gjellëtores së tij, ku bën gjellë, pjek pula, bërxolla e peshk, i ka vendosur një tub, e ka kaluar përmes verandës tonë, duke na i shëmtuar atë, dhe tymrat i shkarkon pak mbi të. Tashti ne nuk shijojmë më aromën e detit, por erën dhe tymrat e kuzhinës së tij. Folëm me të dhe na premtoi se do ta rregullonte. Kur i thamë se nuk kishte ç'farë të rregullonte, por duhej ta hiqte, na u përgjigj me arrogancë: "Ohu, paskeni shumë llafe ju, nuk keni parë, të gjithë kështu kanë bërë" dhe vërtet, pashë shumë tuba qoftesh e pulash të ngritura mbi ballkonet e tarracat e ndërtesave. Vendosëm ta ndjekim problemin me Bashkinë e Durrësit dhe me Qendrën Rajonale të Mjedisit, por na thanë se e keni kot, pasi ai ka lidhje të forta me njerëzit e Bashkisë. Dhe, është e mundshme, përndryshe nuk do të kishte guximin të bënte ato që ka bërë. megjithatë, ne do ta ndjekim.

​Vjet iu bë një reklamë e madhe vendosjes së një kulle vrojtimi me dërrasa në qendër të plazhit për të vrojtuar dhe për të shpëtuar ndonjë në rrezik mbytjeje. Vërtet ajo kullë u vu. Po ashtu u tha se disa pjesë të plazhit do të liheshin si pjesë publike në të cilat pushuesit të mund të vendosnin vetë çadra, ose të rinin si t'u donte qejfi. Kjo gjë nuk u bë, por një ditë, tamam në të dy anët e kullës së vrojtimit, një tufë e përbërë nga bashkiakë, nga policia lokale, nga trupa televizive e personalitete të tjera vendore u dukën në atë vend dhe liruan një pjesë të tij nga çadrat e privatëve nga të dy anët e kullës. Njerëzit morën frymë lirisht! Televizioni i regjistroi pamjet dhe në mbrëmje duhet t'i ketë transmetuar. Nuk kaluan as dy orë nga çasti i heqjes dhe çadrat e pronarëve u vunë përsëri, ashtu siç kishin qenë. Po ç'rëndësi ka, Shqipëria duhet ta ketë parë në televizion se plazhi i Durrësit ka edhe zona publike, edhe një kullë vrojtimi!

​Këtë vit, me sa duket, nuk u pa më e arsyeshme të vihej kulla e vrojtimit dhe kullë vrojtimi nuk kishte më, as plazh publik nuk kishte, madje disa nga pronarët e çadrave jo vetëm që kishin zënë të gjithë rërën, por i kishin shtrirë deri në largësi 1 metër nga uji.
​Uji i pijshëm dhe mushkonjat janë probleme kronike të atij plazhi të cilat duket se nuk do të ndreqen kurrë. U reklamua para ca kohësh ndërtimi i një trotuari të ri në rrugën e plazhit. Trotuari i ri me pllaka në formë tullash të kuqe ishte një shtesë prej rreth një metri i trotuarit të vjetër me pllaka në formë tullash të bardha, po me gjerësi rreth një metri, por i vendosur në nivel më të ulët ndaj tij. Sepse ishte bërë një trotuar me dy nivele e me dy lloj tullash, sado që ta vrisje mendjen nuk e gjeje dot. Bota i bën trotuaret me ulje të butë, kur ato bashkohen me rrugën dhe, a e dini pse? që ata të paktit që lëvizin me karrige me rrota, ta kenë më të lehtë lëvizjen. Ne bëjmë vetë trotuarin me dy nivele! Tullat që tashti kishin filluar t'i rrjepnin, ndërsa pusetat e kanaleve mungonin. Natën duhej të ishe shumë i vëmendshëm, përndryshe thyeje qafën në to. Vetë pusetat ishin mbushur me gjithfarë lloj plehrash dhe një ditë që ra pak shi, rrugët e plazhit u përmbytën.

​Asnjë aktivitet kulturor e artistik nuk zhvillohet në plazh. Vetëm nga një pistë andej nga kreu i plazhit, nga ana e Durrësit, ushton një zhurmë acaruese që e quajnë muzikë e që dëgjohet kudo deri në orën 12 të natës. Dhe pastaj presin që të shkojnë turistë në atë plazh! Turistë ka, por nga ata që futen në det me gjithë brekushe a çitjane e nga ata që skuqen dhe digjen që ditën e parë.
​Ndërsa në autobusët urbanë të vinte kontrolli dhe të shihet në sa e kishe marrë biletën që kushtonte 30 lekë, për çadrat që kushtonin 500 lekë nuk të jepnin kupon tatimor. Në një plazh që, sipas llogarive të përafërta, kishte rreth 10000 çadra, shteti nuk kishte asnjë të dhënë për paratë që merrnin pronarët prej tyre! Kur ua kërkoje kuponin të thoshin se nuk kishin kupon, por e regjistronin në fletore dhënien e çadrës. Në tregtore, të paktën aty ku blinim ne, kuponin tatimor ta jepnin vetëm kur ua kërkoje. Ç'luftë e madhe u bë disa muaj më parë për atë kupon, por te ne të gjitha gjërat janë të përkohshme, për fushata, duke përfshirë edhe ligjet. Nuk ka asgjë të studiuar e të qëndrueshme, asgjë të bërë me mend, asgjë që t'i qëndrojë arsyes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.