Konçesioni i pasaportave, 151 milionë euro në 6 vjet. Kontrata është 30 vjeçare dhe me të drejta ekskluzive!

Postuar në 18 Gusht, 2016 00:13

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative – BIRN – shkruan sot për atë që e quan “biznesi i artë i koncesioneve. Në shkrim kalojnë në sitë koncesionet që janë dhënë nga qeveritë shqiptare, të cilat dalin rezultojnë me fitim shumë të madh. Disa prej tyre janë të njohur, si skanimi, markimi i karburanteve, Petrolifera, kolaudimi etj., thuajse të gjitha monopole në një treg ku shërbimi në shumicën e rasteve është skandaloz. Mjafton të kujtohet kolaudimi, radha e gjatë dhe heshtja e ministrit të Transporteve për të kuptuar se shqiptarët paguajnë edhe që të poshtërohen. Nga lista e përgatitur nga BIRN, po sjellim këtu një që bie në sy: koncesioni për prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit. Atë e zotëron që nga viti 2009 Aleati, apo Sagem. Dhe ja se çfarë bëjnë qeveritë shqiptare, të cilat shtiren sikur kanë pamundësi juridike për të zgjidhur kontrata poshtëruese. Shkruan “BIRN”:

“Monopoli tjetër i krijuar me koncesion është prodhimi i pasaportave dhe kartave të identitetit nga kompania ALEAT. Kjo kompani e fitoi monopolin në vitin 2009 me një kontratë koncesionare trevjeçare, por në vitin 2012, pikërisht në kohën kur kontrata koncesionare parashikonte mbylljen e marrëdhënies kontraktuale dhe transferimin e teknologjisë e infrastrukturës së prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit te Ministria e Brendshme, qeveria e kohës vendosi zgjatjen e afatit të koncesionit me 30 vjet. Vitin e kaluar kjo kompani realizoi të ardhura në masën 3,5 miliardë lekë (25 milionë euro) dhe fitime neto prej 1,4 miliardë lekësh, (9.9 milionë euro) me rritje mbi dy herë të të ardhurave në krahasim me vitin 2014 dhe me gjashtëfishim të fitimeve.

Shkaku i rritjes së papritur të kostos së shqiptarëve për pasaporta dhe karta identiteti duket se lidhet me një vendim të Ministrisë së Brendshme, e cila shpalli të pavlefshme pasaportat e fëmijëve, përgjithësisht pasaportat e fëmijëve të emigrantëve, të cilat qenë lëshuar me afat dhjetëvjeçar, por që sipas Ministrisë, ky qe gabim sepse me ligj, pasaportat duhej të lëshoheshin për vetëm pesë vjet. Pavarësisht se cili qe fajtori për këtë, shqiptarët paguan. Kompania përfitoi gjithashtu nga pasaportat që qenë lëshuar më herët dhe që kishin defekte në përshkrimin e vendlindjeve të fëmijëve në Greqi, si dhe vendime të tjera që kanë lejuar rritjen e çmimit të pasaportave. Njëkohësisht, çmimet e pasaportave u rritën nga qeveria shqiptare për llogari të koncesionarit në vitin 2015, pavarësisht se koncesionari po realizon fitime të pabesueshme nga një vend i varfër.

Që nga viti 2010, koncesioni monopol i pasaportave dhe kartave të identitetit i ka kushtuar shqiptarëve mbi 21.2 miliardë lekë, (151 milionë euro). Norma e fitimit mbi të ardhurat në masën 39 për qind për vitin 2015 është e jashtëzakonshme dhe e lakmueshme për çdo lloj aktiviteti ekonomik.

Njësoj si koncesionet e tjera, ALEAT e ka të caktuar në kontratë kontrollin monopol të shprehur si “e drejtë ekskluzive” në prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe kartave të identitetit”.

Dy vërejtje meritojnë vëmendje:

Zgjatja e kontratës në 30 vjet, kur ajo fillestare ishte vetëm 3 vjet. Çfarë e bindi qeverinë, apo ministrin e radhës për këtë bujari kaq të madhe? Dhe më tej, a nuk ngjan kjo praktikë me atë të koncesionit të kromit, që iu zgjat afati me 10 vjet, pa u mbyllur ende kontrata e parë? Dhuratë kjo ekskluzive për shqiptarët nga qeveria aktuale.

Së dyti, a është e justifikuar rritja e çmimit të dokumenteve të identitetit në emër të elementëve shtesë të sigurisë? Ndoshta kjo mund të ishte një temë për hetim parlamentar, por të gjithë biem dakord, se “konçesioneve nuk u bie kush”.

Dhe së fundmi, një pyetje për ministrin e Brendshëm: Z. Ministër, përveç rritjes së çmimit me të cilën e ndihmuat “Aleatin” në kurriz të shqiptarëve, ndonëse kontrata ishte firmosur tashmë në 2012, a do ta lëshoni sërish dorën me ndonjë “dhuratë” tjetër për firmën që operon në një terren kaq të vështirë si Shqipëria?

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.