Briken Calja shpëton "nderin" e Shqipërisë në Rio

Postuar në 10 Gusht, 2016 10:23

Me një ekip thuajse të shpartalluar që shkoi në Olimpiadë pa asnjë objektiv për medalje, nga peshngritja erdhi një zultat disi inkurajues si për të justifikuar udhëtimin deri në Brazil të të punësuarve nga politika në sport. Briken Calja u rendit i 6 në kategorinë 69 kilogram. Një përfaqësim deri diku i kënaqshëm ky për 26-vjecarin shqiptar që deri në momentet e fundit ishte në dilemë të dilte apo jo në pedan, nisur nga divergjencat me presidentin e Komitetit Olimpik, Viron Bezhani, zyrtar i LSI-së, ashtu si dhe kreu i Federatës Elez Gjoza. Calja ngriti në dygarësh 326 kg, po aq sa në botërorin e Houston 9 muaj më parë kur u rendit në vendin e tetë. Aspak keq për 26-vjeçarin e rikthyer para 9 muajsh nga një pezullim 2-vjeçar dhe që i takoi të përfaqësonte peshëngritjen shqiptare në Olimpiadë në ditët më të këqia të saj duke kujtuar këtu skandalin e dopingut që përfshiu sportistët elitarë shqiptarë të kësaj disipline pak kohë më parë. Medaljen e artë e fitoi kinezi Shi Zhiyong me 352 kilogramë, medalja e argjendtë shkoi për turkun Daniyar Ismaylov me 351 kilogramë ndërsa në vendin e tretë u rendit peshëngritësi nga Kirgistani Izzat Artykov me 339 kilogramë në dygarësh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.