Reforma u miratua – fillon beteja për 71-shin

Postuar në 22 Korrik, 2016 00:16
Eduard Zaloshnja

Në ditët që do të vijnë, ka gjasa të mëdha qe Berisha, Basha etj. të mundohen të bindin publikun, se falë qëndresës së tyre, Rama u tërhoq nga një draft i reformes ne drejtesi, që kishte këtë e atë të keqe. Nga ana tjetër, ka gjasa të mëdha qe Rama, Xhafa etj, të mundohen të bindin publikun se PD-ja iu nënshtrua vullnetit të hekurt të popullit shqiptar dhe vullnetit të hekurt të partnerëve tanë strategjikë.

Pas deklaratave të tyre, ka gjithashtu gjasa të mëdha të nisë në internet e televizion një betejë e fortë komentesh e analizash, për të përcaktuar se kush ishte fituesi e kush humbësi në betejën për reformën në drejtësi. Dhe kuptohet se ata që duan të besojnë Ramën, do të lexojnë e dëgjojnë me vëmendje argumentat pro tij, dhe ata që duan të besojnë Berishën e Bashën, do të bëjnë të kundërtën. Ndersa ata qe jane mosbesues ndaj politikaneve, thjesht nuk do t’í degjojne.

Ndërkohe, ndjekësit e Metës, do të jenë në pritje të diçkaje tjetër.

Dihet që Meta ka kohë që është ftohur me aleatin Rama. Në shtatorin e vjetshëm, pas sulmeve të përqëndruara të Bashës vetëm ndaj Metës, ai tha nga Çorovoda se “ishte krijuar një situatë paradoksale, ku pothuaj po deklarohej se mazhoranca Meta-Meta po e shtypte opozitën Rama-Basha”. Dhe pas kësaj sarkazme, ai i dërgoi një mesazh publik Berishës, duke thënë: “Doktori e di që unë jam malësor Skrapari, dhe kur them ‘Po’, them ‘Po’”. Qysh prej asaj dite, pushuan sulmet e PD-së ndaj Metës, dhe artileria e saj iu drejtua vetëm Ramës.

Gjatë gjithë këtij viti, lufta e heshtur në distancë mes dy aleatëve Rama e Meta ka vazhduar me uljet e ngritjet e veta, dhe e arriti kulmin kur Meta deklaroi se miratimi i reformës duhej të shoqërohej me një qeveri teknike, e cila duhej ta çonte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.

Në fakt, pasi ambasadorët Lu e Vlahutin refuzuan të merrnin pjesë në një takim për reformën, ku mund të diskutohej edhe qeveria teknike, Meta u tërhoq nga ajo deklaratë. Por “Poja” e thënë Doktorit nga Çorovoda s’ka gjasa të ketë vdekur.

Një mosvotim i reformës në drejtësi nga PD-ja mund të shënonte vdekjen e asaj “Poje”, sepse kuotat e PD-së do të binin aq shumë, sa çdo koalicion i mundshëm i LSI-së me të (parazgjedhor apo paszgjedhor) nuk do të ishte i suksesshëm. Dhe në fakt, Meta nuk la gur pa lujtur, që të arrihej në një draft të pranueshëm për të gjitha palët.

Pas fitimit të kësaj beteje, Meta mund t’i rikthehet projektit të tij për qeverinë teknike, që “duhet ta çojë vendin në zgjedhje të lira e të ndershme”. Dhe për ta realizuar këtë projekt, Metës e Doktorit u duhet një sebep dhe 71 vota në Kuvend, sepse Rama nuk ka ndërmend t’ia lëshojë me dëshirë karrigen e tij një kryeministri “teknik”.

Dhe në qoftë se ky projekt nuk materializohet, Meta do të mundohet që, së bashku me Doktorin, ta tejkalojë numrin magjik 71 në qershorin e vitit të ardhshëm.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.