Spektakli identitar me Skënderbeun

Postuar në 08 Korrik, 2016 10:43
Doan Dani

Me ose pa planifikim, Talha Uğurluel, i sojit të rrëfimtarëve të turbo-historisë, mori famë si historian në botën virtuale shqiptare, e natyrisht si turk, falë një videoje të xhiruar pranë varrit të Skënderbeut, veprimet e të cilit interpretohen me njësitë matëse të një historiografie të sakralizuar, që, duke pretenduar përcaktimin e të Mirës dhe e të Keqes, e ndan të shkuarën në funksion të raportit Ne/Ata, jo thjesht me personazhe, por me heronj e tradhtarë. Arroganca kalon çdo cak kur Tjetri, i cili qëllon të jetë heroi kombëtar, identifikohet (përpara varrit të tij) si tradhtar e madje si terrorist, dy kategori që s’mund të jenë kurrsesi pjesë e fjalorit të historianit, praktikisht njëlloj sikur një vizitor i mauzoleut të Mustafa Kemalit të mbante një leksion duke nënvizuar se heroi kombëtar turk, me bëmat e tij në Turqi, funksionoi si model imitimi për Hitlerin dhe se e bija e tij, Sabiha Gökçen, e përkëdhelur nga Oriana Fallaci si model i emancipimit të femrës myslimane, fitonte famën e pilotes së parë turke duke shkarkuar bomba në vitet ’30 përmbi kategorinë e kurdëve, në një fushatë me rreth 13.000 viktima, mes tyre gra, fëmijë e të moshuar, edhe ato të numëruar thjesht për të ekzaltuar tradhtarët e terroristët.

Duke lënë mënjanë ballgamin e reaguesve në rrjetet sociale, të cilëve Uğurluel u ra si peshqesh për të adresuar mllefin në shënjestra krejtësisht të ndryshme nga personi në fjalë dhe nga abuzimi me historiografinë, do të doja të qëndroja pikërisht te kjo e fundit, sepse në rrafshin profesional spektakli i historianit turk njësohet me mënyrën tonë të kultivimit të historiografisë. Së pari, ai shërbeu për të kompaktësuar në një kategori denigrimin me perspektivat e ndryshme të leximit historik: të gjithë bëhen Tjetri i pandashëm. Së dyti, rikonfirmoi dogmatizmin e historisë standarde shqiptare, tek e cila kërkohet aderim me nënshtrim të plotë, përndryshe vërshon arsenali i anatemave të herezisë: «disa analistë shqiptarë», «strehsa»/«mohsa», «albanologët e rinj», «osmanizuesit», e të tjera akoma më të ashpra, pra çdo etiketë që shënjestron armikun e brendshëm, mosbesimtarin e dogmës.

Frymën tipizuese të shkollës historiografike shqiptare e sintetizon mjaft kthjellët Kristo Frashëri te Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zviceran dhe disa analistë shqiptarë, kur shkruan se «një historian i diplomuar jashtë Shqipërisë bën gabim kur kërkon të gjykojë ose vlerësojë ngjarjet e historisë së vendit të vet nga këndvështrimi metodologjik dhe ideologjik i vendit ku ai është diplomuar». Në këtë vepër, të vlerësuar madje si gurë themeli në kritikën historike, (a) ku autori është më tepër patriot sesa historian – sepse ndryshe nuk do të shpjegohej mosnjohja e një institucioni familjar për medievistin, siç është vasaliteti, apo kundërshtimi i emërtimit Ivan thjesht me pretendimin “çohu Ivan të ulet Gjoni” – dhe (b) ku bën lapsusin naiv të refuzimit të këndvështrimeve metodologjike të huaja (zbulohen kështu në fushën e historisë metodologji zvicerane, tajlandeze, marokene etj.), ndonëse ai vetë është regjur në metodologjinë marksiste, theksohet dhe merret si vlerë se produkti i historianit duhet të jetë në funksion të nevojave ideologjike. Kjo kushtëzon edhe të vërtetën historike. A nuk vepron njëlloj edhe kolegu Uğurluel?

Frashëri teorizon edhe vaksinën: «kur ai [historiani] që përdhos simbolet e kombit jep leksione në katedrat universitare ose nëpër ciklet shkollore, shteti nuk duhet të rrijë spektator, ashtu si nuk rri spektator edhe ndaj atyre që dhunojnë moralin shoqëror», prandaj «ndërhyrja e shtetit në këto rrethana duhet konsideruar jo si shkelje e të drejtave të qytetarit, por si profilaksi, ashtu siç ndërhyn për parandalimin e gripit, meningjitit, lisë». Ndërhyrja sipas tij është përjashtimi. Me këto teza Zygmunt Baumani, te Holokausti dhe Moderniteti, ilustron sesi justifikohej parandalimi i së keqes nga dogma nacionalsocialiste, me justifikime të ngjashme ka funksionuar për gati gjysmë shekulli regjimi që brumosi mendësinë e Frashëri, për pretendime të tilla profilaktike kritikohet sot Erdoğani, dhe duhet të ketë patjetër një joshje nga totalitarizmi ai historian i cili, pasi është katapultuar falë denoncimi të enverizmit, pajtohet me këto masa drakoniane.

Një lozhë që akoma ndan personazhet e studimit në virtuozë e tradhtarë, që tradhti konsideron deri edhe konvertimin fetar, që toleron pluralizëm leximesh po aq sa çdolloj fundamentalizmi fetar, që është transfiguruar në Leviatanin me të cilin Hobbes-i metaforizoi zgjatimin e gjithanshëm dhe dominimin absolut të shtetit, që pozicionohet si një kler me misionin e ruajtjes së sakralitetit të historisë shqiptare dhe që, për të ngashënjyer grigjën, i duhen gjithmonë armiq, nuk ka moralin për t’i lejuar vetes të paraqitet publikisht e indinjuar nga etiketa ‘tradhtar’ apo ‘plaçkitës’ e as të pretendojë se komoditeti i saj bazohet mbi themele shkencore, ndryshe nga armiku, për më tepër që bëhet qesharake, sepse shenjtëron rrëfimet e Marin Barletit, teksa ai i kushton faqe të tëra plaçkitjeve të Skënderbeu, duke mos e kursyer as satirën ndaj heroit kombëtar. Me logjikën e mësipërme, përpara «disa analistëve shqiptarë» e «albanologëve të rinj», si «osmanizues» potencial, duhet ndëshkuar Barleti.

Mund të ngushëllohemi me faktin se më së paku kjo shkollë, përtej shpikjeve e dogmatizmit, kishte një sfond nacionalist, që rezulton tërësisht i huaj për një përfaqësues publik si Pal Trashaj, i cili, në reagim ndaj karikaturës së tij të kahut tjetër, e cilëson Lezhën vetëm si «të krishterë», duke lënë të nënkuptohen konturet fetare të armikut, dhe Uğurluel, produkt i ideologjizimit të historiografisë njëlloj si Trashaj, këtij qëllimi i shërbeu.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.