Anglishtja “kërcënon” edhe italishten

Postuar në 19 Qershor, 2016 20:46

“Ndal anglishtes! Të mbrojmë italishten!”. Kështu e titullon një shkrim të vetin “Avvenire” në Itali, i cili vë theksin te huazimet e sforcuara dhe të panevojshme që kanë depërtuar në lëmin teknologjik e atë të biznesit. “Por me të vërtetë që termat teknikë anglisht nuk kanë të barazvlefshmin e tyre në italisht? E pavërtetë”, vijon “Avvenire” duke raportuar se “gjuhëtarët e grupit Incipit, pjesë e Akademisë Crusca që merret me vlerësimin e neologjismave dhe huazimeve...kanë propozuar një shembull të përkthimit  italisht të tyre...”. Shembulli ka vlerë pse shtron në vetvete pyetje edhe për shqipen tonë, që ka një mbipopullim huazimesh, e ca më keq, përdorim të panevojshëm dhe keqpërdorim në disa raste. Po e përcjellim bashkë me  

Analisi on desk – analisi preliminare o analisi a tavolino (analizë paraprake apo analizë në tryezë)

Benchmark – (parametro di riferimento)parametër referimi

Tool – strumento(mjet, instrument)

Executive summary – sintezë

Valutazione della performanze – valutazione dei rezultati (vlerësim i performancës)(http://www.avvenire.it/Cultura/Pagine/Il-no-della-crusca-all'inglese-aziendale-all'universita.aspx). 

Këto janë disa prej fjalëve apo termave që kanë hyrë, e për të cilat akademia italiane sugjeron përkthimin e “duhur”. Mirëpo siç shihet ky problem i italishtes është shumë më artificial sesa në shqipe, pasi vetë kjo e fundit, pra shqipja e folur, na mëson përmes italianizmave të saj, se këto terma nuk i mungojnë italishtes. Por se folësit e saj janë prekur nga dukuria e thjeshtimit si pasojë e përputhjes së konvencioneve që sjell me vete teknologjia dhe pasqyrimit të saj në përdorimin terminologjik. Nëse i heqim anglicizmat edhe shqipes, do të shkojmë te italianizmat, pasi shqipja ka natyralizuar këto të fundit më herët për nevoja të terminologjisë(në shumë raste, ndonëse jo domosdoshmërisht në fushën kompjuterike). Këtu duket se nuk ka hyrë shumë në punë as përkthimi në shqip i programeve të windows, apo i programeve të telefonave celularë.

Edhe përpjekja e Akademisë italiane ngjan si e pashpresë në një botë që sa vjen e unifikon gjuhën teknologjike që burimisht është anglishtja. Kjo të paktën në Europë dhe SHBA, aty ky alfabeti bazë është ai latin.

Një shpresë mund të thotë dikush është letërsia dhe puna në shkollë. Edhe ky është argument që vlen shumë, por aktualisht, nga sa po shihet, krijohet ideja se në letërsinë shqipe kemi shkrimtarë që njohin dhe lexojnë njëri-tjetrin. Kurse sa i përket gjuhës dhe shkollës,  gjasat janë që shqipja e “pastër” do të jetë privilegj i shumë pak njerëzve nesër. Këtu po flasim për një fushë, si teknologjia, meqë ajo po imponohet më ndjeshëm. Por në shqipe problemi është më i thellë kur mendon se edhe sot, pas 34 vjetësh, standardi i gjuhës nuk është asimiluar sa dhe si duhet.  Çfarë bën të mendosh është se kur problemi është shqetësues për gjuhë të mëdha, me traditë shkrimi dhe me kulturë që ka rrezatuar gjerësisht,  atëherë  ai është edhe më alarmant për gjuhë si shqipja. Është një nga ato çështje që kërkojnë seriozitet dhe angazhim, jo për të kuruar ndonjë paranojë, por për të kuptuar kohën që po vjen dhe për të ndrequr ato që mund të ndreqen. Apo për të mos lejuar që të këmbehet një mundësi e gjuhës me një neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.