Në kufijtë e një incidenti diplomatik me Italinë. Tërhiqet nga Shqipëria kreu i Interforza-s, Grillo

Postuar në 07 Qershor, 2016 14:49

Disa media bëjnë me dije se sot është tërhequr nga Shqipëria, kreu i Misionit Interforza, Michelle Grillo. Nuk jepen arsyet zyrtare, por interpretimet e lidhin Grillon me skandalin e pajisjes përgjuese për të cilën sot u dha goditja në Policinë e Shtetit(http://www.balkanweb.com/site/pajisja-e-pergjimit-italia-terheq-nga-shqiperia-shefin-e-misionit-te-interforces/).

Për këtë çështje ka pretendime shumë të rënda që janë artikuluar nga Presidenti i Republikës, i cili deklaroi se “në dijeninë time janë përgjuar të gjithë”. Po kështu, në Komisionin e Sigurisë u pretendua se pajisja ka hyrë pa autorizimin e prokurorisë, e paregjistruar në doganë dhe se me të janë kryer përgjime masive. Deputeti Flamur Noka, deklaroi se “njoftimi ka ardhur nga shërbimet partnere”.

Është pra një situatë dyshimesh dhe akuzash që me procedimet e sotme të Prokurorisë kanë marrë formë ZYRTARE.  Prokuroria ka sekuestruar materiale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe dyshimet janë se pajisja që nuk po gjendet të jetë çuar në duar të italianëve. Këtu janë krijuar të gjitha kushtet e një incidenti të rëndë diplomatik . Kjo sepse Ambasada e Italisë në Shqipërië, ka përcjellë në formë zyrtare drejt Prokurorisë shqiptare, një letër të ish-drejtorit të Policisë Italiane, Alessandro Pansa, të cilën e ka sigluar. Në letër ndër të tjera thuhet: “Ky aset stërvitor rezulton i konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”( http://www.respublica.al/2016/06/07/parashutë-italiane-për-sajmir-tahirin-edi-ramën-dhe-përgjimin-italianët-kujtojnë-).

Pyetja që shtrohet, nisur nga hetimi dhe konkluzonet e hetimit të Prokurorisë është: Si ka përgjuar Policia e Shtetit, apo oficerë të saj me një pajisje të konfiguruar paraprakisht në mënyrë të tillë që të mos e mundësojë një gjë të tillë? Dhe më tej: Për cilën arsye dhe në këmbim të çfarë, drejtues të Interfozas kanë lejuar përdorimin e kësaj pajisjeje nga policët shqiptarë?

Për pyetjen e parë, largimi i Grillos jep një shpjegim. Pajisja ndoshta nuk ka qenë e konfiguruar siç thotë Pansa, që atë ditë la detyrën.

Për pyetjen e dytë, këtë e di më mirë Sajmir Tahiri, i cili ende nuk dihet se kë ka përgjuar, brenda dhe jashtë partisë, qeverisë e parlamentit. Të paktën sipas asaj që konkludon nga veprimet e prokurorisë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.