Intervista/Arkeologji në tokën e profetëve dhe të luftës

Postuar në 21 Maj, 2016 17:16

Shkatërrimi i Palimrës nga ISIS, i kujtoi botës se errësira dhe çmenduria në mendjen njerëzore nuk është zhdukur. Site të tjera arkeologjike në Lindjen e Mesme, në këtë burim të qytetërimit botëror, janë në rrezik. Jordania, Toka e Shenjtë e profetëve, e lidhjes së tyre me hyjnoren, toka e pagëzimit të Jezu Krishtit, ashtu siç na rrëfen tradita biblike, është po kaq në rrezik. Në një intervistë për “Avvenire”, profesori jordanez, Mohammad Waheeb, autor i librit “Betania përtej Jordanit, Zbulimi i vendit ku u pagëzua Jezusi”, flet për këto rreziqe, ndërkohë që kujton se toka e Jordanisë, e lënë në harresë për kaq kohë, është një vend që duhet vizituar.

 

Profesor Waheeb, përse është i rëndësishëm përcaktimi me saktësi i vendit të pagëzimit të Jezusit?

Bëhet fjalë për një nga zbulimet arkeologjike për të rëndësishme në Jordaninë moderne. Kjo zonë ishte një pjesë nga rrugët e pelegrinëve antikë mes Jeruzalemit dhe malit Nebo. Po ashtu, ajo lidhet me rrëfimin e ngjitjes në qiell mbi një karrocë zjarri, të profetit Elia, pasi kisht kaluar ujërat e lumit Jordan, bashkë me pasuesin e tij, Eliseo. Siti pra, kondenson në vetvete një vlerë të madhe, historike dhe religjoze.

Përtej kontekstit historik, a ka një vlerë bashkëkohore?

Pasi u harrua për shekuj të tërë, tani është kthyer në destinacion për vizitorë të kombeve dhe feve të ndryshme. Zona premton për Jordaninë mundësine e fuqizimit të sektorit të industrisë së turizmit fetar.

Çfarë roli ka Jordania në historinë spirituale dhe fetare të këtyre territoreve?

Bregu lindor i lumit Jordan ishte vendi i egër dhe vetmitar i profetëve dhe patriarkëve biblikë, zona e mbyllur ku njerëzit hynin në marrëdhënie me hyjnoren në heshtjen monastike dhe në bukurinë e një natyre që të lë pa frymë.

Cilat janë ndryshimet mes pelegrinëve antikë dhe atyre modernë?

Pelegrinët antikë, që përballeshin me udhëtime të gjata dhe të vështira, shpesh duke rrezikuar jetën, vinin këtu për të prekur shenjtërinë e vendit. Pelegrinët e sotshëm, ndonëse kanë në dispozicion të gjitha komoditetet, janë të frikësuar nga lajmet për konflikte dhe kanë ndalur së ardhuri më. Duken të trembur nga vetë pasuria e tyre fetare dhe madje edhe nga nevoja për ta mbrojtur nga rreziku i shkatërrimit. Për fat, ka akoma nga ata që vendosin të vijnë deri këtu.

Sa gjurmë ka lënë dhe vazhdon të lërë lufta mbi këto vende?

Për një pjesë të madhe të shekullit të 20-të, konflikti mes Izraelit dhe botës arabe, bëri që rrjedha lindore e Jordanit të mbetej jashtë vëmendjes, pikërisht në kohën kur pjesa më e madhe e Tokës së Shenjtë ishte eksploruar gjerësisht nga arkeologët e periudhës bibilike. Por në vitin 1994, trktati i paqes mes Izraelit dhe Jordanisë hapi një rrugë të re për kërkimin e siteve të reja, që pasoi zbrazjen e bregut të lumit nga ushtria. Vështrimi ynë mbi këtë tokë ka zbuluar shenjtërinë e tij: është një vështrim që ndryshon nga i ushatrëve dhe luftëtarëve.

Çfarë do të thotë të jesh sot arkeolog në Lindjen e Mesme?

Në Jordani kanë mundësi të mira pune, falë mbështetjes të qeverisë, ONG(?) dhe komuniteteve lokale. Krijimi i qytetërimeve dhe ngritja e tyre nisi pikërisht këtu dhe është e rëndësishme që të marrësh pjesë në shkrimin e historisë më anike të njerëzimit. Hebraizmi, kristianizmi dhe islami kanë rrënjët këtu dhe kjo jep mundësinë për të punuar në vende veçanërisht të ngarkuar me domethënie. Por Lindja e Mesme po hyn në një turbullirë të madhe. Nga njëra anë, gërmime dhe ruajtje, nga ana tjetër shkatërrime përherë e më totale. Mund të thuhet që si arkeologët, ashtu edhe pasuria e Lindjes së Mesme janë nën kërcënim. Të dyja kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme.

Libri juaj mbyllet me dy tekste të Michele Piccirillo. Mund të na sillni një kujtim të fratit arkeolog?

Duhet të pranojmë se nuk është bërë mjaftueshëm për kujtimin e këtij njeriu që e deshi Jordaninë dhe që kërkoi të varrosej këtu. Atij i dedikohet zbulimi  i shumë siteve që përbëjnë gurin e themelit të turizmit religjioz, si Madaba, kompleksi i Umm al-Rasas dhe Mali Nebo, kur u varros në vitin 2008. Është arkeologu universal që ne duhet ta kujtojmë në këtë libër, sikurse rezultatet e punës së tij, po aq universale, për promovimin e pasurisë historike jordaneze përmes shkrimeve të shumta, gërmimeve dhe leksioneve.

Përkthimi nga: “ResPublica”

http://www.avvenire.it/Cultura/Pagine/GUERRE-.aspx

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.