Fronti Demokratik dykrenor/PD: “Me një anëtar një votë vendimet e rëndësishme”. PS: “Kemi shumë anëtarësime. Mbështetje për reformat”

Postuar në 13 Shkurt, 2016 15:59

Dy partitë kryesore të Shqipërisë, ajo Socialiste dhe ajo Demokratike janë aktualisht në proces zgjedhor. Ja sesi e paraqesin përfaqësuesit e të dyja partive atë që po ndodh me zgjedhjet.

Lulzim Basha, kryetar i PD-së: “Është detyra jonë sot që të ngrihemi edhe një herë si para 25 viteve, të ngrihemi për t’i dhënë një model tjetër Shqipërisë, të demokracisë së re, demokracisë pjesëmarrëse së çdo qytetari, çdo qytetareje duke e nisur nga demokracia brenda familjes tonë, brenda shtëpisë tonë, duke e nisur me vendimmarrjen “një anëtar-një votë” për të gjitha vendimet e rëndësishme në Partinë Demokratike. Ky është ndryshimi i madh sot midis një Partie Socialiste që është katandisur në një çiflig i satrapit oriental, në një fole të personave kriminalë që diktojnë çdo vendim dhe një Partie Demokratike që është ringritur e po ringrihet mbi normat, vlerat dhe standardet perëndimore që përbëjnë ADN-në tonë, shpirtin tonë, identitetin tonë”.

Blendi Klosi, sekretar Organizativ i PS-së: “Në këto zgjedhje të delegatëve të Kongresit anëtarësia e partisë hyn e rritur numerikisht dhe nga ana kualitative. Deri më 31 dhjetor 2015, datë që sipas Kodit të zgjedhjeve në parti përcakton anëtarësinë e partisë që merr pjesë në proceset zgjedhore sipas parimit “Një anëtar, një votë” për gjashtëmujorin e parë të vitit në të cilin jemi, Berati e Elbasani kanë një anëtarësi 12 përqind më të madhe nga fillimi i procesit të zgjedhjeve, Korça 19 përqind dhe Fieri 32 përqind. Një numër i madh anëtarësimesh janë bërë gjatë muajve janar e shkurt të këtij viti. Në të gjitha strukturat po punohen për arritjen e objektivit të përcaktuar që në 25 vjetorin e partisë anëtarësia e PS të jetë 150 mijë anëtarë, e cila do të përbëjë një force vitale dhe një mbështetje të garantuar për reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe Kryeministri e Kryetari i PS, Edi Rama”.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.