PD-ja kërkon zgjatjen e hetimit për “çështjen e serverit të tatimeve”. Por ndryshon objektin e kërkesës

Postuar në 06 Shkurt, 2016 16:33

Partia Demokratike ka rikthyer sot në vëmendje çështjen e hetimit parlamentar për atë që në media njihet si çështja e serverit të tatimeve. Përmes një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, për dijeni disa ambasadave në Tiranë, PD-ja kërkon zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor Parlamentar “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”. Duke kundërshtuar mendimin e mazhorancës për ringritjen nga e para të komisionit, meqenëse komisionit të parë i mbaroi mandati tre mujor, PD-ja argumenton se shtyrja kërkohet pasi “nuk ishin kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe praktikisht Komisioni Hetimor nuk kishte nxjerr konkluzionet e hetimit”.
PD-ja nënvizon të drejtën e vet kushtetuese për të kërkuar shtyrjen e mandatit të komisionit. Duhet kujtuar se për këtë çështje pati edhe një hetim penal nga prokuroria e cila doli në konkluzionin se nuk kishte patur thyerje të sigurisë në serverin e tatimeve. Me interes është deklarimi kategorik i PD-së për miratimin e kërkesës së vet, të cilën e lidh me zhvillimin e seancës plenare të datës 11 shkurt. “Opozita parlamentare nuk do të lejojë që në seancën plenare të datës 11 Shkurt 2016, të diskutohet dhe shqyrtohet asnjë cështje tjetër, pa u miratuar më parë me konsensus zgjatja e afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”, deklaron PD në letrën e vet.
Një vërejetje që ka rëndësi jo vetëm formale: kërkesa e publikuar sot nga PD-ja sjell edhe ndryshimin e titullimit të komisionit hetimor, pasi komisioni hetimor që ka funksionuar deri më tani ka patur këtë objekt: “Komisioni për Verifikimin e Bllokimit të Sistemeve Elektronike Tatimore”(http://www.parlament.al/atribut/komisionet/komisione-hetimore/komisioni-...). Mund të pyetet: pse është bërë riemërtimi i objektit, i cili në formën “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore tatimore”, sjell zgjerimin e tij dhe e shkëput atë nga një ngjarje e vetme, siç ishte ajo e ndërhyrjes në sistem e për të cilën PD-ja bëri kërkesë specifike, të përshkruar në mënyrë specifike?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.