E famshmja anonime, Elena Ferrante/“Kur unë shkruaj...”

Postuar në 02 Janar, 2016 19:28

Elena Ferrante. Ky është emri i artit i një novelisteje italiane e cila shkruan dhe publikon në anonimitet të plotë. “Haaretz” i kushton një shkrim dhe madje i ka shkëputur një intervistë shkrimtares që thuhet se jeton në Torino, apo për disa në Napoli. Ngjan si zakon shkrimtarësh kjo tërheqje, por për Italinë ndoshta Lampedusa mishëron një rast nga më të njohurit ku siç shprehej vetë ai “më pëlqente më shumë të rrija me gjërat sesa me njerëzit”. Ferrante përgjigjet se e vetmja gjë e saj e cila mund të ‘pushtohet me të drejtë’ janë librat që ajo ka shkruar. “Nuk është pen name im që nxit interesin për librat e mi, por libratb e mi që nxisin interesin për të. Jeta ime private është tërësisht e ndarë nga prezenca ime publike përmes librave. Askush nuk mund ta invadojë atë”, përgjigjet shkrimtarja, për të cilën madje nuk mungojnë spekullimet se është në fakt mashkull. Kundrejt këtij  hamendësimi tipik prej gazetari, Ferrante përgjigjet: “Çfarë mund të them? Edhe sot, në çdo fushë, vetëm shkëlqimi i meshkujve perceptohet si universal. Fermat fitojnë njohje vetëm për aftësinë brenda kufijve të gjinisë së tyre. Nëse ato i thyejnë këto kufij, ato befas humbasin tiparet personale, ato duhet të jenë meshkuj”. Ndarja gjinore edhe në botën e shkrimtarëve është shumë e pranishme; ajo zë fill që me leximet e para dhe mandej “pikaset” përmes gjurmimit të stilit narrativ. Ferrante thotë se nga kjo “patologji” e letërsisë ka qenë viktimë edhe ajo si lexuese: “Kur isha vajzë e vogël kuptova se një libër i mirë duhet të ketë një hero mashkull. Pastaj më vonë, kur nisa të shkruaja historitë e mia për vajzat, ideja se meshkujt janëë narratorë më të mirë, mbeti, madje u përforcua. Madje duhet që të mësoje të tregoje si ata. Nuk doja të shkruaja si Madame de La Fayette, Jane Austen, apo Brontës, por si Defoe, Fielding , Flaubert,  Tolstoy, Dostoyevsky, madje edhe si Hugo. Kjo fazë zgjati shumë kohë, deri në fillim të moshës 20 vjeçare dhe la gjurmë të thella”.

Ku konsiston atëherë identiteti femëror i Ferrantes që pavarëisht universalizimit e kërkon si gjurmë të pashmangshme “unin” femëror në letërsinë e vet?

“Dinjiteti im femëror nuk buron nga letërsia, por nga mendimi feminist. Nuk jam militante dhe nuk mendoj se një histori duhet të prezantojë një ideologji. Një rrëfim ka sukses nëse është i aftë të realizojë autonominë e vet, nëse ka kapacitetin të afektojë madje edhe bindjet e mia, si autor. Një histori e treguar nuk është manifest: është një përpjekje për të përkthyer çrregullimin organik të përvojës njerëzore në fjalë...Kur unë tregoj një histori, kam vetëm një objektiv: të vërtetën. Përvoja e vërtetë që shfrytëzoj për t’i dhënë substancën një historie është ajo e një gjendjeje reale. Ta përkthesh atë në fjalë do të thotë ta përkufizosh atë, t’i japësh një formë letrare. Është një proces kyç, i cili gjithsesi mund të shkaktojë humbjen e së vërtetës. Kështu që të gjitha përpjekjet e mia përqendrohen te kjo: të arrsih të shkruash pa lënë që e vërteta të shpëtojë në emër të formës tërheqëse. Preferoj një ton që është i vërtetë ndaj një teksti që është i shkruar me shumë kujdes, por fals”, vijon Ferrante. Ky përcaktim i fundit e bën atë një shkrimtar/e të vërtetë, që i riprodhon edhe këtu gjurmët e një lexuesi të ndjeshëm të Dostoyevskit, Tolstoyt etj..

http://www.haaretz.com/israel-news/culture/.premium-1.694810?utm_campaig...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.