Meta merr PS-në/Pakt Berisha-Ruçi-Meta për të frenuar Ramën dhe Kokëdhimën në Kongres*

Postuar në 27 Tetor, 2015 01:43

Ish-kryeministri Sali Berisha shkruan në Facebook, se PS-ja po shkon drejt duarve të Ilir Metës. Lëvizjet për kongresin, rrëzimi i propozimit të Kokëdhimës, janë për Berishën, një njeri i informuar ky, se PS-ja nuk është gjatë në duart e Edi Ramës. Shkruan Berisha: "Rama eshte bere lolo, ushqehet me shpifjet qe sajon vet! Te dashur miq, Edi Rama, kryeministri pa qeveri eshte bere lolo. I ngerthyer nga moria e akuzave per afera te medha korruptive si ÇEZ dhe seria e aferave te tjera te ministrave te tij, Beqes, Ahmetit, Nikolles, Kodhelit, Canit, te cilet pohojne se fituesin e cdo tenderi per Nushin, Carapulin, Papulin etj etj i cakton vet Rama, ka mobilizuar papagajte e tij per te stisur takime te bashkekryetarit te tij Meta me Berishen pasi beson se me trillime te tilla do mund te shpetoje rrokullisjen e shpejte te PS drejt Metes dhe te justifikoje mungesen e qeverise. Thjesht, edhe per kete, fajin e ka Saliu!". Ky mund të jetë edhe diversion, por nisur nga fakti se këto dy vitet e fundit, denoncimet e PD-së dhe Berishës për tendera, rrahje në kryeministri etj., janë konfirmuar në masën 80%, kjo që thotë, se diçka të vërtetë ka. Ndoshta Berisha po i bën presion edhe Bashës, të cilit  i thotë: lëri pazaret me Ramën se partinë e mori Meta. Ose e gënjen që ta bëjë të dalë zbuluar. Pyetja është: a ka një pazar Berisha-Meta-Ruçi për rrëzimin e aksit Rama-Kokëdhima? Ende është herët për të folur, por ka informacione se pas ngjarjeve të Xibrakës, Rama ka qenë një herë gati të japë dorëheqje dhe këtë ja ka konfiduar Metës. I cili nuk ka pranuar. Nga çdo pikëpamje që ta shohësh, situata është e tillë që nuk mund të izolohet pa kosto, as nga bashkimi PS-PD. Çështja CEZ, dekriminalizimi si dhe tenderat me qameti dy pjesëmarrës, konstituojnë një Shqipëri që jeton në skandale të përditshme. E natyrisht, opozita ka të drejtën të kërkojë marrëveshje. Të cilën përderisa nuk e arriti me presione dhe ulërima, apo skenarë policorë, po e synon me këto marifete, ku Ilir Meta është usta. Kongresi i PS-së, heshtja e Blushit, llogaritë e Kaçit,  statuset e Berishës, kundërvënia e Ruçit ndaj linjës së Ramës, janë të gjitha elementë të një puçi që përgatitet në Kongres. Zgjedhjet e vitit 2017, në kushtet e një delegjitimimi qeverisës kalojnë medoemos nga një marrëveshje, sidomos për reformën në drejtësi. Ambicia e Edi Ramës për 150 mijë anëtarë nuk është asgjë më shumë sesa prova e frikës së tij nga fermentimi i situatës së tanishme. Nuk është pa kuptim edhe ftesa për Dritan Lelin e Vlorës në takimin e fundit në PS, një njeri që nuk përfaqëson asgjë për PS-në, përveçse me Ramën e lidh fakti se të dy i kanë patur prindërit anëtarë të Komitetit Qendror. Gjithë pra një ngrehinë që po plasaritet që në themele e ai që ndodhet në çati po bën ekuilibristin. Leksioni politik që rezulton nga ky proces është se sado që ideja e përgjithshme për një dominim të PS-së nga Rama u ngulit jo pak, e vërteta është se shpirti i kësaj partie qëndron tek aparati dhe jo kryetari. Kështu mund të shpjegohet suksesi i Gramoz Ruçit, por edhe Ilir Metës, që huazoi nga PS-ja skemën organizative dhe shprehitë e solidaritetit që i përshtati në kushtet e një sekti. Një rënie e Edi Ramës do të thoshte rënie e bijve të nomenklaturës dhe ky është zhvillim themelor. Ndoshta pretendimi për të dominuar sistemin e drejtësisë pas gjoja reformës është shumë kërcënues për të gjithë. Në parim do të duhet që të gjithë të shohin se shpirti i së majtës ka vdekur, nëse ka ekzistuar ndonjëherë. Ai është tanimë shpirti i humbur i një zombi që po bën përpjekjet e fundit t’i fshihet pasqyrës. Por nuk mund t’i fshihet dy të (vet)përjashtuarve prej saj: Berisha dhe Meta.

PS: Analiza është përgatitur në kuadër të tezës: "Fraksionet, shpresa e fundit e unitetit", pjesë e serisë "Qejfe qejfe kjo parti"

*Titulli origjinal: Berisha dhe Meta (ri)bëjnë pashaportizimin në PS

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.