Sa efektive kanë qenë investimet e qeverisë Berisha?

Postuar në 01 Dhjetor, 2015 15:30

Një nga gjërat për të cilat u dallua qeveria Berisha ishte rritja e ndjeshme e investimeve publike çdo vit, në krahasim me vitin 2005. Dhe kjo ishte edhe arsyeja kryesore pse borxhi publik u rrit ndjeshëm gjatë 8 vjetëve të qeverisjes së Berishës.

Por sa efektive kanë qenë investimet publike në periudhën 8-vjeçare të qeverisë Berisha?

Investimet publike, duke qenë mjeti kryesor fiskal në dorë të qeverisë për nxitjen e rritjes ekonomike, ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit të sektorit të ndërtimit, si dhe tërthorazi, në të gjithë sektorët e tjerë.

Për të matur efektin e çdo investimi publik më vete, duhen të dhëna të hollësishme si për të, ashtu edhe për sektorët që ndikohen nga ai. Ndërsa për efektin në tërësi, në ekonomi përodret treguesi i raportit të rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) me rritjen e investimeve publike.

Në rastin e qeverisë Berisha, ky tregues rezulton 1.01 për të gjithë periudhën 8-vjeçare. Rritja kumulative e PBB-së në krahasim me 2005-ën ishte 2.59 miliardë dollarë (me kursin e atëhershëm 1 dollar=100 lekë), ndërsa rritja kumulative e investimeve publike ishte 2.56 miliardë dollarë. Pra, praktikisht, rritja e investimeve publike nuk ka patur një efekt më të madh se sa efekti i tyre i drejtëpërdrejtë.

Kuptohet që ne nuk mund ta dimë se sa do të kishte qenë rritja e PBB-së, në qoftë se investimet publike do të kishin mbetur në nivelin e 2005-ës gjatë të teta viteve, kur dimë se kërkesa e brendshme dhe e jashme ra në gjysmën e dytë të qeverisjes së Berishës (për shkak të pakësimit të dërgesave monetare të emigrantëve dhe tkurrjes ekonomike të fqinjëve). Sidoqoftë, eksperienca botërore na tregon se stimuli fiskal i investimeve publike, në kushtet e uljes së kërkesës së brendshme e të jashtme, ka zakonisht një koeficient multiplikator diku tek 1.5-sa, e jo 1, si në rastin e Shqipërisë.

E. Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.