Rrjedhja e trurit ose fuga di cervello

Postuar në 10 Nëntor, 2015 11:56
Gilman Bakalli

“Jemi popull me fat” – shkruan Blushi për shqiptarët tek libri i tij i fundit“Kandidati”. Me fat “ngaqë kemi shpikur të parët ilaçin kundër mendimit”.  E thënë ndryshe: na kanë rrjedhur trutë. Italianët do thoshin: Fuga di cervello. Shqip: arratisja e trurit në drejtim të panjohur. Ata që nuk e konsiderojnë si fat mosmendimin, kërkojnë fajtorët e rrjedhjes. Disa thonë se ilaçin kundër mendimit e kanë ofruar politikanët falas. Dihet se pse. Kutitë e votimit mbushen më mirë nga njerëz që nuk mendojnë. Disa të tjerë thonë se ilaçin kundër mendimit e ofron falas edhe media, e shkruar dhe elektronike. Medias nuk i duhet një popull që mendon. I mjafton një blerës besnik gazetash dhe konsumator i rregullt programesh televizive. Unë besoj se ka edhe një kategori të tretë profesionale që shpërndan falas ilaçe kundër mendimit. Profesorët për shembull. Kryesisht ato të moshuarit, me thinja dhe eksperiencë të gjatë, ata që paguhen për të ndihmuar “lindjen” e mendimit në publik. Maieutika, pra duhej të ishte misioni i tyre, “arti i mamisë” që ndihmon lindjen e mendimit tek njerëzit dhe jo vrasja e mendimit përmes spekulimeve, gjysmë të vërtetave apo gënjeshtrave. Kjo kategori e ka zëvendësuar modelin sokratik me atë të Profesorit të Popullit që i drejtohet popullit çdo ditë, disa herë në ditë si Autoritet i Mendimit.

Profesori i Popullit përpiqet të shfaqet si Sokrat i vuajtur, por nuk i shkon ky model. Sokrati ishte tip sportiv, ecte në këmbë rrugëve të Athinës për t’i takuar vetë njerëzit, Profesori i Popullit nuk para e ka qejf lëvizjen në këmbë (në këtë rast thuhet se është i motorizuar) dhe njerëzit i pret ulur, në sallën e tij të pritjes në facebook. Sokrati i ngacmonte njerëzit me pyetje mbi gjërat thelbësore të jetës si drejtësia, bukuria, dashuria, vdekja etj., duke besuar se dija ishte brenda tyre dhe, me pyetjet e duhura, ajo mund të dilte jashtë, lindte. Profesori i Popullit i përmbyt njerëzit me një “numër” të pafundëm çështjesh, të cilat, më shumë se krijimin e mendimit synojnë mbytjen e tij. Sokrati dialogonte për të nxjerrë një mendim, Profesori i Popullit monologon dhe i “pëlqen” kur populli ia “pëlqen” mendimin. Sokrati e ngacmonte popullin për të krijuar mendim, Profesori i Popullit kërkon pëlqimin e popullit, për të konfirmuar mendimin e tij personal. Sokratin nuk do ta njihnim po të mos ishte Platoni, Profesorin e Popullit populli nuk do ta njihte po të mos ishte facebook-u ose Arian Çani.

Por ka një ngjashmëri të fortë midis filozofit endacak athinas dhe profesorit sedentar tiranas. Sokrati thoshte se ishte diçka thellësisht private, siç ishte gruaja e tij shumë e pasur Ksantipja, ajo që e detyronte të filozofonte rrugëve të qytetit. Ishte grindavece dhe lunatike kjo grua dhe, si të vetmen mënyrë për t’i shpëtuar, Sokrati kish gjetur eglendisjen filozofike rrugëve të Athinës. Në këtë pikë, Profesori ynë i Popullit nuk ndryshon aspak nga Sokrati. Edhe Profesorin tonë të Popullit duket se marrëdhënia e çrregulluar me Privaten e ka hedhur në krahët e Publikes. Thonë se ishte pasuria e Ksantipes që ia mundësoi Sokratit stilin endacak e filozofik të jetesës. Gojë të liga thonë se edhe Profesori i Popullit ka thithur mirë e mirë nga cica e shëndetshme e Privates, me qumështin e së cilës mundohet tani të ushqejë lopën e plakur të Publikes.

Jeta e Sokratit u mbyll si tragjedi. Vjeshta e Profesorit të Popullit po vjen si një lojë satirike. Në të cilën, regjisor dhe personazh kryesor është vetë profesori, Profesori i Popullit si një Sokrat i vetëkënaqur dhe me fat që i përket një populli që nuk mendon.

"Mapo"

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.