Markimi i karburanteve, një tjetër koncesion problematik

Postuar në 07 Nëntor, 2015 12:13

Në një letër të posaçme, Shoqata e Hidrokarbureve ka lajmëruar Ministrinë e Financave për problemet me koncesionin e markimit të karburanteve, për të cilin prej dy vitesh është kontraktuar  GFI Albania.

GFI Albania, nëpërmjet një kontrate 10-vjeçare që kushton 150 milionë euro, duhej të ngjyroste naftën në përputhje me qëllimin e përdorimit, me qëllim eliminimin e abuzimit me cilësinë e destinacionit dhe në fund shmangien e taksave.Mirëpo Shoqata e Hidrokarbureve thotë se kompania nuk po plotëson asnjë nga këto detyrime, nuk ka bërë asnjë investim dhe për rrjedhojë, kontrata koncensionare është shkelur në të gjitha pikat.

Sipas Shoqatës Ministria e Financave po lejon GFI Albania të shkelë të gjitha të drejtat dhe të abuzojë në mënyrë të paligjshme mbi subjektet detyruese, pa asnjë lloj alternative kontrolli, ankimimi dhe as kërkese për zbatimin e investimeve që ai detyrohet me ligj.

Në kontratë përcaktohet qartë specifikimi teknik për makineri dhe pajisje, se koncesionari duhet të ndërtojë për injektimin e markuesit në karburant një sistem injektimi manual ose automatik dhe sistemi i pompave të procesionit duhet të jetë i kompjuterizuar dhe të transmetojë në kohë reale të dhënat. Por sot e kësaj dite, njofton Shoqata, investimi është zero.

Nuk është ndërtuar asnjë impiant. Injektimi bëhet duke hedhur markuesin nga disa epruveta në autobot. Ndërsa përqendrimi i markuesit, sipas marrëveshjes, duhet të jetë 4 gr për 1000 litër, hedhja me dorë e ngjyrës në autobot e bën totalisht të pamonitorueshme këtë normë.

Paradoksi tjetër është se grosistëve, GFI, nuk u jep asnjë certifikatë cilësie për markuesin që hidhet në karburant dhe për më tepër, asnjë autoritet shqiptar nuk e certifikon. Për më tepër, koncesionari nuk garanton homogjenitetin e përqendrimit të markuesit në momentin e markimit (për arsye se nuk ka ndërtuar impiantet përkatëse), por pretendon se kjo ndodh, pasi autoboti të këtë udhëtuar të paktën 10 km.

Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë, e cila në pamundësi për të prishur kontratën, duhet të penalizojë kompanitë për moszbatimin e saj.Tarifa që grosistët e naftës i paguajnë koncesionarit është 614 lekë plus TVSH-në, për 1000 (një mijë) litra të markuara. Vendimi i qeverisë i majit 2013 përcakton se subjektet e detyruara duhet të porosisin dhe të paguajnë shërbimin e shënjimit pranë pikave të posaçme të ngritura nga koncesionari për këtë qëllim.

Mirëpo ndërsa grosistët po e paguajnë tarifën sipas këtyre përcaktimeve ligjore, markimi i karburante nuk po funksionon sipas kontratës dhe qeveria nuk po e penalizon kompaninë.

Autoriteti i Konkurrencës evidentoi në lidhje me këtë koncesion, se para nënshkrimit të marrëveshjes koncesionare apo gjatë procedurës për dhënien e koncesionit, nuk është respektuar nga Ministria e Financave detyrimi që përcaktohet në nenin 2/1c dhe 69/1/b të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” , për të marrë vlerësimin e Autoritetit në rastet kur vendosen të drejta ekskluzive apo të veçanta.

Pse bëhet markimi

Ndodh shpesh që produktet me çmim më të ulët përzihen me karburantet më të shtrenjta. Produktet e përziera kanë ndikime të shumta negative ndaj automjeteve, mjedisit, shëndetit publik dhe mjeteve të shpërndarjes së karburanteve. Përzierja është e përhapur në vendet ku ka naftë bruto dhe nënprodukte të saj, parafinë apo karburant avionësh, të cilat përzihen shpesh me naftë dhe shiten me një çmim më të lartë. Një gjë e tillë ndodh në zona ku çmimet e produkteve të tilla dallojnë nga njëra-tjetra dhe ku ka dallime mes taksave dhe subvencioneve për produktet e karburantit dhe solventëve. Shqipëria është një vend ku problemet e shkaktuara nga përzierjet janë të dukshme, duke reduktuar të ardhurat buxhetore dhe duke shkaktuar shumë dëme për konsumatorët dhe mjedisin.

Në web-in e saj zyrtar, GFI Albania shprehet se, Shqipëria është një vend me një industri komplekse të karburanteve. Nga njëra anë, Shqipëria ka fushën më të madhe naftëmbajtëse kontinentale në Europë, por nga ana tjetër, për sa i përket karburanteve të rafinuara për konsum, në treg operojnë rafineritë vendase, si dhe subjektet që kryejnë importin e karburanteve për tregun lokal si dhe për rieksportim, kryesisht drejt Kosovës. Rrjedhimisht, Shqipëria mbetet një vend vulnerabël për sa u përket rreziqeve të përzierjes, kontrabandës së karburanteve, cilësisë së dobët etj. Këto probleme shkaktojnë humbje kolosale fiskale për qeverinë çdo vit.

Ndaj që për t’i dhënë fund këtij problemi, qeveria në vitin 2011 vendosi të bëjë markimin për të eliminuar këtë përzierje në dëm të konsumatorëve të karburanteve nëpërmjet koncesionarit të ri. Por sipas dëshmive të grosistëve markimi jo vetëm nuk po funksionon për qëllimin themeltar të tij, por është shndërruar në një kosto shtesë për industrinë, e cila po paguhet nga konsumatorët.

Nga të dhënat e bilancit, GFI Albania e ka mbyllur vitin 2014 me një pozitë jo të mirë financiare. Humbjet u thelluan me 84% në vitin 2014, me 183 milionë lekë nga 99 milionë lekë që raportuan në bilancet e 2013 të dorëzuara në QKR.

 

Monitor

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.