“Në një vend europian ministri i Jashtëm do të ishte para përgjegjësisë”

Postuar në 22 Tetor, 2015 09:52

Shefit të kabinetit të ministrit të Jashtëm, Pirro Vengu, i ka ardhur thirrja për ushtar në Greqi, por deri më tani ky informacion është mbuluar me heshtje nga ministria dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Përveç disa deklaratave të zv.ministrit Belortaja në Komisionin Parlamentar me Jashtë, që më shumë e shtuan tymnajën, deri më sot, ministri, një njeri që nuk lë rast pa kërkuar shfaqje publike, e ka kyçur gojën. Opozita e ka cilësuar një skandal dhe ka kërkuar dorëheqjen e Ditmir Bushatit, por kjo nuk merret në konsideratë. Vlerësimi i kësaj ngjarjeje ka marrë të njëjtin tonalitet edhe nga një ish-ministër socialist, Sabit Brokaj, që përmes një interviste për gazetën “Panorama” thotë ndër të tjera: “Nëse di mirë rëndësinë e pozicionit të shefit të kabinetit, është e habitshme se si ka ndodhur kjo. Për analogji, mund të ndodhte një gjë e ngjashme në një vend europian? Me siguri që ministri do të ishte para përgjegjësisë dhe ma merr mendja që do të ishte një skandal që do të jetonte gjatë në media dhe në diskursin publik të atij vendi. Kjo që ka ndodhur në Ministrinë e Jashtme është edhe pasojë e një fenomeni të çuditshëm që ndodh në Shqipëri, marrjes me fasadën dhe imazhin e kuruar. Por skandale të tilla nuk kanë munguar, sepse kemi pasur ministra Mbrojtjeje me nënshtetësi tjetër, shefin e SHISH me nënshtetësi të huaj, dhe flas për struktura të sigurisë kombëtare. Të mos harrojmë se me marrjen e nënshtetësisë së një vendi tjetër, ti ke bërë betimin t’u shërbesh interesave të atij vendi. Ky është një absurditet që ndodh vetëm në këtë vend të çuditshëm, ku asgjë më nuk bën përshtypje”. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.