The Prophet!

Postuar në 16 Tetor, 2015 12:25
Halil Matoshi

Albin Kurti në një shkrim autorial thotë me naivitetin e një adoleshenti politik se nuk arrin ta kuptojë pse gjithë kjo histeri e panik kundër gazit lotsjellës në Parlament.

“Gazi ynë lotsjellës më 8 tetor 2015 në Parlament ishte i përmasës së vogël dhe një i vetëm. Të tillë ne i kemi ngrënë në protesta me mijëra sish, ndërkaq po ashtu me qindra asi që janë në mbushje më të mëdhenj e shumë më të rrezikshëm. Pra, nuk pati kurrfarë sulmi masiv me gaz lotsjellës nga ana jonë…”

Mirëpo Kurti e harron parimin e përbotshëm që populli ia delegon “dhunën legjitime” shtetit përmes përfaqësuesve të tij, për t’iu shmangur kështu marrjes së ligjit në dorë, përkatësisht vetëgjyqësisë.

Por çfarë është kjo paralele që vë ai?
Deputeti nuk mund të jetë njëkohësisht në detyrë të policit special ose shefit të falangës (milicisë popullore.)
Sepse deputeti, sipas Kushtetutës, nuk i nënshtrohet asnjë mandati apo autoriteti tjetër.

Sipas autores Anna Feigenbaum, (The Atlantic) në gusht të vitit 1914, trupat franceze kanë hedhur granata me gaz lotsjellës në llogoret gjermane përgjatë kufirit mes dy vendeve në përplasjet e para të Luftës së Parë Botërore dhe ky vit merret si ditëlindja e atij që do të quhet gaz lotsjellës.

Përveç pasojave fizike, gazi lotsjellës edhe provokon terror.
Një ushtarak amerikan në vitin 1928 kishte pohuar: "Është më e lehtë për njeriun për të ruajtur moralin përballë plumbave se në prani të gazit të padukshëm."
Sipas kësaj autoreje, njerëzit shpesh harrojnë se gazi lotsjellës është një armë kimike, i projektuar për torturë fizike dhe psikologjike.
Në Vietnam e në SHBA hodhën gaz lotsjellës në tunelet e Viet Congut, si dhe në strehimorët kundër bombardimeve ku mijëra civilë kishin mbetur të bllokuar brenda.
Në vitin 1966, delegacioni hungarez në OKB, i mbështetur nga kombet e tjera të Evropës Lindore, bëri thirrje që të sanksionohej një krim ndërkombëtar për përdorimin e këtyre armëve kimike në luftë.

Megjithatë, ndërsa në luftë gazi lotsjellës është ndaluar nga Konventa e Armëve Kimike, përdorimi i tij në polici ka shënuar rritje.
Sidoqoftë, Kurti e bëri të veten, sulmoi Kuvendin (hapësirë e mbyllur) dhe iu shmang përgjegjësisë.
Dhe kur atë e kërkoi policia në zyrat e tij partiake, ai kishte udhëtuar tashmë jashtë Kosovës. Kurse me t’u kthyer ai arrestohet nga policia, gjë që nga opozita u vlerësua si kidnapim.
Po çka fshihet pas një arresti me hile dhe një lirimi politik, i cili i përfshin në frikë të gjithë qytetarët e rëndomtë - si çifti im - për pabarazinë para ligjit në këtë vend!?

Ndoshta në shumëçka Albin Kurti kishte të drejtë, përderisa ai kapërceu vijën e kuqe, duke sulmuar shtëpinë e sovranit apo qysh e quan Sartori “Rojtarin e qeses” (Kuvendin.)
Mirëpo në këtë ofensivë propagandistike të opozitës për publikun bëhet vështirë e dallueshme se çka është e drejtë dhe çka është e zbatueshme (realpolitika.)

Derisa lëvizja “Vetëvendosje” si pakicë profetike dhe Albin Kurti si profet i demokracisë e dinë se çka është e drejtë, kush është instanca që duhet të përcaktojë të mundshmen, pra të zbatueshmen?
Nëse Qeveria aktuale duhet të shkojë për shkak të gërryerjes së legjitimitetit, çfarë do të na thotë nesër Kurti për Asociacionin, kur të nisë presioni i madh ndërkombëtar mbi të dhe organizatën e tij, mbi Kosovën e vogël?

A do të jetësohet ai dhe çka nëse izolimi ndërkombëtar i Kosovës do të jetë monedha e tërheqjes nga vendimi i Qeverisë së vendit!?
Çfarë do të thonë nesër ata që sot po e mbështesin Zotin Kurti?
Regjimi i vendosur nga ish-guerilja (UÇK) në Kosovë ndoshta edhe s’kishte shumë lidhje me demokracinë, mirëpo ata po e shmangnin “demokracinë e demonstratave” duke u përpjekur që ta etablojnë një demokraci qeverisëse, e cila, fatkeqësisht u shndërrua në kleptokraci, duke gërryer kështu legjitimitetin.
Për t’ia krijuar hapësirën e pëlleshme që në skenë të vijë demagogu (si shfaqje e re me mendësi të vjetër) si manipulues shembullor me sovranitetin e popullit.

Sipas Giovanni Sartorit, demagogu u bën thirrje turmave, duke bërtitur se populli ka gjithnjë të drejtë.
Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet.
Sipas këtij parimi, populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar.
Dhe nëse populli e ka të drejtën e gabimit, nuk d.m.th. se duhet ta shtysh të gabojë, siç po ndodh aktualisht, kur organizata e Kurtit dhe opozita e bashkuar po nxisin masat të mobilizohen jo për diçka, por kundër diçkaje, që në prapaskenë po del të jenë serbët, përkatësisht Serbia!?

A është Albin Kurti deputet i zgjedhur, lider politik (aktivist i lëvizjes VV) apo polic dhe nëse ai ka të drejtë që në emër të popullit (në të cilin thirret aq dendur) të krijojë falangë a milici popullore?
Janë dy momente kthese në ortekun që kanos ta rrokullisë Republikën drejt humnerës.
Së pari, Albin Kurti, duke mësyrë përmbysjen e një qeverie legale (po themi se legjitimitetin mund ta ketë shpenzuar), i ka shpallur luftë “demokratike” me mjete jodemokratike Republikës së Kosovës!

Dhe, së dyti, Kurti mësyn cytjen e etnonacionalistëve kundër serbëve, për të prodhuar krizë të re në raportet mes serbëve dhe shqiptarëve për ta sjellë faktorin ndërkombëtar në pozitën kur mund t’i mëshojë fort tezës së ndarjes së Kosovës dhe bashkimi i “territorit shqiptar” me Republikën e Shqipërisë, me motivacion se ashtu na qenka vullneti i popullit të Kosovës.
Mediat kosovare dhe ato sociale po vlojnë nga të vërtetat përfundimtare të atyre që vërtet i besojnë revolucionit, ndryshimit radikal, përmbysjes dhe profecisë së Kurtit.
Sipas Raymond Arton, historia që tregon partia është e vërtetë në vija të trasha, është e një vërtetësie sipërore ndaj së vërtetës materiale dhe fakteve.
Partia (organizata e A.Kurtit) tha se presioni qytetar e liroi atë nga arresti, porse vërtet nuk ishte kështu.

Loja e dyfishtë dështoi, dikush i fuqishëm në shtet mati forcat me qytetarët për ta vlerësuar potencialin shpërthyes në rast se forcat e sigurisë ndërhyjnë për ta zhbllokuar Kuvendin ose në rast se lëvizja e Kurtit (me opozitën e bashkuar) del në rrugë.
Ishte arrest me hile dhe si i tillë përfundoi me një hile edhe më të pështirë: Lirimi i tij pas ndonjë ore intervistimi – siç thotë policia - ishte politikisht i influencuar!
Pra, ky shembull për qytetarin e rëndomtë të Republikës dëshmon drejtësi selektive?

A do të lirohej p.sh. autori i këtij shkrimi po të përdorte armë kimike – luftarake në hapësirë të mbyllur publike?
Definitivisht jo.
Aron më tutje thotë se politika nuk e ka zbuluar ende të fshehtën e shmangies së dhunës.
Por dhuna bëhet edhe më tepër çnjerëzore kur beson se është në shërbim të një të vërtete, e cila mbahet njëherazi si historike dhe absolute, njëjtë siç mbahet për historike dhe mbështetet edhe nga shumë qarqe etnonacionaliste shqiptare lëvizja e Kurtit.

Pra, me figurën profetike të Kurtit po spekulohet shumë, duke ngre re të mëdha mjegulle propagandistike rreth “të drejtës” së tij, derisa ai po ngrihet mbi ligjin, i shfaqur së këndejmi para publikut kinse po e vendos ligjin?

Secili qytetar tjetër pos Kurtit po të përdorte gaz lotsjellës në hapësirë të mbyllur (ose në Kuvendin e Republikës, larg qoftë) do të dënohej nga secila gjykatë e rregullt me shumë vjet burg për rrezikim të përgjithshëm të shëndetit dhe jetës.

Në anën tjetër, Kurti e ka parandier tërmetin (lëvizjen sizmike shoqërore) dhe ka paralajmëruar tashmë se për shkak të këtij Asociacioni, Kosova do të futet në një luftë të re, ku do ta pësojnë gjeneratat e reja.
Dhe profecia e Kurtit, duke marrë parasysh traumën e jetuar të kosovarëve, duket se afekton secilin qytetar të këtij vendi, mirëpo, megjithatë, nëse Kosova dhe Serbia ecin pa e penguar njëra-tjetrën drejt integrimeve (shih: Kapitulli 35), atëherë kjo profeci mbetet vetëm paralajmërim apokaliptik pa asnjë përmbajtje.
Po qe se themi se qeveria legale ka bërë aq të këqija dhe se po e përligjim Revolucionin, duhet ta dimë po ashtu se sërish dikush duhet ta bëjë qeverinë, e të menaxhojë pasuritë kombëtare, paranë publike, dikush të hapë burgje e dikush të bëhet rojë burgjesh…

Aron paralajmëron: “Duhet të kalojë shumë kohë që të shërohen të këqijat që lë prapa një revolucion, madje edhe në rastin kur ky revolucion ka shëruar të këqijat e regjimit të rrëzuar. Kur rrëzohet një regjim i ligjshëm, atëherë fatin e përbashkët e merr në dorë një grup njerëzish, madje herë-herë një njeri i vetëm.”
Kësisoj, regjimet e kalbëzuara si ky kosovar gjithnjë ndërtojnë dhe i japin legjitimitet popullor një njeriu të vetëm (i cili “flijohet” sepse i bie që shpesh të kalojë nëpër burgjet e regjimit) që në të shumtën është një diktator ose diktatorth!
Edmund Burke ishte një politikan britanik dhe kundërshtar i palëkundur i revolucioneve (edhe Revolucionit Francez), sepse, sipas tij, revolucioni shpie rëndom në tirani.

Franz Neuman, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë e mban masën së bashku, thotë se “shpirti i masës” është i padëshmuar, mirëpo masa ka nevojë për identifikim afektiv me liderin-hipnotizues, pra masat e frikësuara nga e panjohura bëhen tok rreth atij që ua premton shpëtimin - parajsën në tokë - pas gjithë atyre vuajtjeve.
Nëse analizohet gjendja aktuale në Kosovë, del e saktë teza e Neumanit se atje ku në politikë ndodh identifikimi afektiv me liderin, masa dhe lideri e krijojnë një imazh historik sikur fatkeqësia që e ka goditur masën, është e nxitur nga ndonjë komplot i njerëzve ose ndonjë grupi të caktuar kundër bashkësisë (në rastin e Kosovës, perëndimorët, Hashim Thaçi e Isa Mustafa, ose më shpesh vetëm ky i fundit.)

Nëse vërtet njerëzit nuk kanë arritur deri në atë pikë sa t’u mungojnë rastet dhe shkaqet për t’u vrarë me njëri-tjetrin, siç vëren Aron - nëse toleranca lind nga dyshimi, atëherë le të mësojmë të dyshojmë - për modelet dhe për utopitë, që të kundërshtojmë profetët e shpëtimit dhe lajmëtarët e katastrofave.
Lëvizja regresive masive me të ardhur në pushtet, për ta mbajtur të gjallë identifikimin me liderin, duhet që ta institucionalizojë frikën dhe frikësimin.

Dhe tri janë metodat për këtë: terrori, propaganda dhe për mbështetësit e liderit, krimi i kryer së bashku.
Për të synuar humanizimin e politikës, Neuman mendon se duhet mësyrë që ta pengojmë demagogun të shfrytëzojë frikën dhe apatinë.

Pra, ne nuk guxojmë të heshtim…
Duhet të flasim dhe të shkruajmë…
Siç dhe e kemi bërë deri më sot.
Masat gjithnjë kërkojnë t’i rreshtohen prapa një fituesi, që hipën mbi pirgje kufomash e krekoset.
Ky është i mbijetuari i Elias Cannetit.
Hero në krimet e përbashkëta.
Të refuzojmë albinistët që thërrasin në ndryshim radikal dhe fatalistët që paralajmërojnë ogur të keq, luftën civile…
Dhe, krejt në fund, duhet të shpresojmë se do të vijnë skeptikët - sipas Aronit - ata që do ta shuajnë fanatizmin…

"Koha Ditore"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.