"Bëj sikur nuk kupton se e ke më të lehtë dhe na bën nder të gjithëve”

Postuar në 05 Tetor, 2015 14:58

Sot mediat raportuan se kryeministri Edi Rama, kishte mbledhur në një takim, një grup drejtuesish të Partisë Socialiste, grup që quhet si ekip zgjedhor. Gramoz Ruçi, Erjon Veliaj, Dritan Leli, Taulant Balla dhe Niko Peleshi, këta janë njerëzit që vendosin sot në PS e që kanë diskutuar nuk dihet se për çfarë. Diskutimet në grupet e PS-së janë interes kombëtar dhe për këtë arsye nuk është e udhës që të spekullohet për temën e bisedës mes Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Por do të duhet të mjaftohemi me atë që jashtëqiti verbalisht kryeministri i vendit: “Nuk ka ndryshime në qeveri. Ju i shkruani, ju besoni ato që shkruani”, ka jashtëqitur nga goja Edi Rama. Dikush mund të pyesë: po ç’është ky ton e ky fjalor me komandantin e Shqipërisë? Kjo quhet sintonizim. Kryeministri polemizon me mediat anembanë globit, kuptohet kur e begenisin që e ftojnë, u drejtohet gazetarëve me sens deligjitimues, se gjoja qysh në krye të herës, atë askush nuk e ka kuptuar, thelbin e aksioneve të tij nuk po e detekton dot e gjithë media e hemisferës veriore. Dhe ndaj nuk mbetet veçse ta neverisësh këtë lloj gazetarie. Një gazetari, që “çuditërisht” edhe kur vjen nga Perëndimi, për të cilin ky po na gatuan gjellën politike të duhur, sepse mban përherë në bllok pyetje të tipit: “Pse ju thonë zoti 10%(apo 20% se kush i mban mend përqindjet)”? Ose siç e pyeti Sebastian: “Sa kriminelë ke futur në qeveri”? Të krijohet përshtypja se me këtë qeveri dhe me këtë vend luhet një art mizor si politikë cinike, që anashkalon ligësisht faktin se Edi po bën më të mirën. Se ky ekip është vërtet varianti qytetar dhe qytetarizues, jo, më shumë, civilizues i shqiptarëve. Krejt ndryshe prej brashnjarëve që grabitën dhe që bërtisnin për mëmëdheun. Një politikë siç na thonë qytetare, e lektisur pas Perëndimit, aty ku shumë prej këtyre kanë qenë, por që nuk ishin siç thonë edhe vetë “një histori suksesi”. Ishin një kronikë ditësh bosh, që ikinin e iknin, derisa po ai Perëndim, me natyrën sfiduese i Jashtëqiti në formën e një cikli kthyes në Shqipëri, për të na i dhuruar, njësoj si ndihmat e dikurshme në afat skadence, si material i mjaftueshëm që Shqipëria të marrë kthesën me një Erë të re. Mjafton kjo për Shqipërinë dhe shqiptarët; apo jo? Ndaj i lutemi Kryeministrit të bëjë një gjest human: nga lartësia e trajektores së lëshimit, të falë këto pyetje që konstituojnë besimin e përditshëm gazetaresk. Të bëjë sikur nuk dëgjon, sikur nuk shikon, sikur nuk kupton. Është mirë për të gjithë, por edhe për atë është e lehtë. Se ai këtë talent e ka më të spikatur se çdo gjë tjetër. Edhe pse “nuk është politikan”. As Politikej kuptohet. Le të nisë e të shkruajë e-mailin e dytë për buzagazët e kollarisur të qeverisjes: kësaj radhe ta heqë fjalën turkoshake. Se nuk është e nevojshme. Le të marrë pllakën e Sulejmanit nga Kalaja e Lezhës, e ta vendosë në selinë e qeverisë. Le t’i ndërrojë emrin, nuk do ketë asnjë ndryshim. Madje çdo qytetar do ketë të drejtën të shkruajë emrin që do. Kështu edhe zbehim valën e protestës: pasi kemi fituar të drejtën të jashtëqisim të gjithë, aty ku deri më sot na thuhej se “qeverisin” një dorë nga më të zgjuarit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.