Kundër pllakës së Sulejmanit, Plasari: “Leximi i historisë të bën që disa personazhe t’i neveritësh”

Postuar në 04 Tetor, 2015 12:52

Sulejmani i Madhërishëm ka së fundmi kundër edhe Aurel Plasarin. Në një shkrim në gazetën “Panorama”, Plasari shkruan se burimet flasin për një sulltan që ka bërë ato që sot dontë quheshin “krime kundër njerëzimit”. “Ky sulltan ka lënë në histori dëshmi të atyre që në gjuhën e sotme do të quheshin krime kundër njerëzimit. Në gjuhën e dikurshme quheshin thjesht: rrënime, plaçkitje, masakra, etj..Sulltanë të tillë rezultuan të gatshëm të shndërronin Arbërinë në një grumbull gërmadhash të zhytura në gjak për t’u shpallur mandej ‘rindërtues’ të po atyre gërmadhave”, shkruan Plasari, duke theksuar edhe rrënimin e Kalasë së Lezhës. Më tej, Plasari, që ka qenë prej kohësh pjesë e revistës “Hylli i Dritës”, pas ringjalljes saj në vitet ’90, shkruan se Sulejmani i Madhërishëm nuk nderohet një asnjë prej vendeve që pushtoi, madje as në Turqi. “Ai nuk nderohet dhe as përkujtohet në vendet ku derdhi gjak popujsh dhe u regjistrua në kujtesën historike të atyre popujve për rrënime, plaçkitje, masakra etj. Nuk kam informacion nëse nderohet a përkujtohet në Turqinë e sotme, ndonëse nuk përjashtohet gjasa që elemente të traditës tiranike sulltanore të funksionojnë ende si joshje për regjime jodemokratike”, vijon ai. Plasari shkruan edhe për Damjanin nga Himara, që donte të vriste sulltanin, e që mu për këtë do të duhej të mbetej në përjetësi. Ose siç do të thuhej sot do të mbetej në këngë, si Jaçe Mavrova. “Të lexosh këto dhe plot të tjera- nga njëra anë për himarjotët luftëtarë me kapedan Damjanin e tyre që ende nuk ka vdekur i tëri, dhe nga ana tjetër për Sulejmanin e Pllakës, me kardashllarët e tij- nuk ka si të mos pranosh se leximi i historisë është i mrekullueshëm jo ngaqë të bën të paanshëm. Përkundrazi. As ngaqë të bën indiferent ndaj personazheve të saj të ndryshëm. Përkundrazi. Leximi i historisë të bën që disa personazhe t’i dashurosh, ndërsa të tjerë t’i neveritësh”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.