Ndodhi: LSI-ja në sulm për aferën CEZ

Postuar në 30 Shtator, 2015 15:27

Ndodh edhe kështu. Lëvizja Socialiste për Integrim është hedhur në sulm për aferën CEZ. E vënë për disa javë me shpatulla për muri, pikërisht pse kryetari i saj, Ilir Meta, akuzohej si i përfshirë në aferat e mbledhjes së borxheve përmes kompanisë DIA, së fundmi, LSI ka dalë në vijën e parë të propozimit të disa zgjidhjeve për këtë çështje. Ylli Manjani, drejtues i kësaj partie, thotë në një intervistë për “Top-Channel” se LSI është dakord për hetimin ndërkombëtar, por ai ka vënë theksin te një pikë që shpalos mesazhe politike: hetimi duhet të merret me akuzat se privatizimi i OSHEE-së, nga CEZ u bë për interesa politike, sikurse nxjerrja e tij u bë po për interesa politike. “Ka ndodhur një gjë, që qeveritë shqiptare me kryeministrat përkatës vendosin interesin publik të shqiptarëve në satër, si pjesë e negociatave me shtetet e tjera të huaja, ose për të konkurruar për statusin, ose për ta marrë atë. Pra, të dyja rastet për statusin kanë qenë. Rasti i CEZ-it është fare flagrant, besojmë dhe mendojmë ne, të paktën nga ç’është emetuar në publik. Një kryeministër e shet OSHEE-në te CEZ-i për të filluar procedurat e statusit, ndërsa akuza tjetër është se kryeministri pasardhës e mbyll procedurën e CEZ-it për të marrë statusin. Nëse kjo është e vërtetë, ky është korrupsion politik dhe lidhet me faktin që, për t’i zgjatur jetën vetes në pushtet bën marrëveshje me interesin publik të shqiptarëve. Kjo është e papranueshme dhe është korrupsioni më i rëndë që mund t’i ndodhë një shteti sovran sesa çdo gjë tjetër që ndodh në këtë kontekst. Nga kjo pikëpamje, prandaj ne duam që të hetohet kjo çështje. Nëse ka fakte, personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Manjani(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=309711#k1).

Nga ana e vet, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka ecur më tej, teksa ka tentuar të zhvendosë foksusin e akuzës së PD-së, nga DIA drejt 9 kompanive të tjera. Shembull është domethënës. Një prej kompanive, ka patur si fi suksesi për mbledhjen e borxheve të Albpetroli, kompani tërësisht shtetërore, 35-50%. Cila është arsyeja?

Paralelisht me këto qëndrime të mazhorancës e cila po kërkon të bindë njerëzit se çdo gjë shkon mirë, opozita ka dalë sot me tezën e vet të njohur: hetimin e marrëveshjes së Mirëkuptimit të CEZ-it, që mendohet se i ka falur kompanisë çeke 600 milionë euro kundrejt një vote për statusin.

Në vija të përgjithshme shihet se skena është ristabilizuar formalisht: PS-ja që merr në mbrojtje LSI-në, LSI-ja që nuk nguron të godasë dhe kujtojë se çuarja më tutje e kësaj afere nuk e lë Edi Ramën jashtë dhe PD-ja, me kreun e saj, Lulzim Basha që i është rikthyer konferencave për shtyp me propozimin që ka bërë Berisha. Çfarë ka ndodhur? 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.