E majta duhet të jetë gati për tërheqjen e Britanisë nga BE

Postuar në 01 Shtator, 2015 14:41
Owen Jones

Në fillim vetëm pak vetë i futën këmbët në ujë, pastaj të tjerët ndoqën shembullin e tyre, të gjithë duke parë njëri-tjetrin për mbështetje. Kur Greqia e shkatërruar nga masat shtrënguese u vendos nën kushtet që Janis Varufaqis e quan “pushtim postmodern”, me sovranitetin e përmbysur dhe e detyruar të zbatojë akoma dhe më shumë politika që deri tani nuk kanë arritur asgjë veç shkatërrimit, e majta britanike po kthehet kundër Bashkimit Europian, dhe me shpejtësi.
“Gjithçka e mirë për BE është në zmbrapsje; gjithçka e keqe është në marshim,” shkruan George Monbiot, duke shpjeguar kthesën e tij. “Gjithë jetën kam qenë pro-europiane,” thotë Caitlin Moran, “por duke parë si e trajton Gjermania Greqinë, më duket e papëlqyeshme.” Nick Cohen beson se BE po portretizohet “me ca vërtetësi, si një institucion i pashpirt, fanatik dhe idiot.” “Si mund ta përkrahë e majta atë që po bëhet?” pyet Suzanne Moore. “Bashkimi Europian. Jo në emrin tim.” Ka dhe figura laburiste të larta që privatisht kanë kaluar në pozicionin “kundër”.

Lista vazhdon dhe rritet. Sa më shumë kundërshtarë të majtë të BE deklarohen publikisht, aq më shumë do të zgjerohet masa. Për ne të majtët që kemi qenë gjithmonë kritikë ndaj BE, kjo ka qenë si një kryqëzatë e vetmuar. Por mbështetja e të majtës për dalje nga BE – nëse mund ta quajmë “Lexit” [nga fjala angleze “left”, e mjatë] – nuk është diçka e re. Shumica e të majtës bëri fushatë kundër hyrjes në Komunitetin Ekonomik Europian, kur Margaret Tharcher dhe të ngjashmit bëri fushatë për anëtarësim.
Kjo do të kërcënonte aftësinë e qeverive të majta të zbatonin politikat, mendonin njerëz si prindërit e mi, dhe do të ndalonte aktivizimin industrial të llojit që nevojitet për mbrojtjen e industrive të vendit. Por theçerizmi ndodhi, dhe një e majtë në rënie dhe e demoralizuar filloi të mendojë se e vetmja shpresë e legjislacionit progresiv ishte përmes Brukselit.

Pesimizmi i të majtës për mundësinë e zbatimit të reformave sociale në vend pa ndihmën e BE u ushqye me një vizion progresiv të internacionalizmit dhe unitetit, i dalë nga gërmadhat e fashizmit dhe lufta gjenocidale. Është kjo ndjenjë pozitive që është zhdukur në një vend që BE e ka çuar në një rënie ekonomike të pa parë që nga depresioni i madh amerikan [vitet 30]. Nga kreditë e dhëna ka përfituar vetëm bankat franceze dhe gjermane, jo ekonomia greke. Shkatërrimi i sovranitetit kombëtar të Greqisë u arrit përmes shtrëngimit ekonomik. Zv/kryeministri sllovak, Peter Kazimir, mund ta ketë shuar statusin e tij në Tweeter, ku e quante këtë Versajë të kohëve moderne si “rezultat i Pranverës Greke të tyre”, por ai ka të drejtë: gjithçka u bë për të shkatërruar një rebelim.
Vërtetë e shëmtuar. Siç u shpreh ish-këshilltari i komisionit evropian Philippe Legrain, “Gjermania po vërteton që është një hegjemoniste shkatërimtare,” duke hedhur poshtë dhe kundërshtimet e Francës. Euro i shkon për shtat Gjermanisë, sigurisht, sepse një euro e dobët është mirë për eksportet e saj dhe nuk i lejon vendet më të varfra të BE që të konkurrojnë. Por shikoni si ka funksionuar BE. Ajo ka larguar nga pushteti – sado të papëlqyeshme, qeveri si ajo e Silvio Berluskonit. Edhe Irlandës dhe Portugalisë iu bë shantazh. Marrëveshja e 2011 ndaloi praktikisht ekonominë kejnesiane në eurozonë.
Por dhe jashtë eurozonës, demokracia jonë është e kërcënuar. Partneriteti Investimeve Tregtare Transatlantike, e negociuar në fshehtësi me interesat e korporatav, rrezikon garën në themel të standardeve mjedisore dhe të tjera. Kjo do t’iu mundësonte korporatave të mëdha të hedhin në gjykatë qeveri të zgjedhura për t’i ndaluar të paraqesin politika që prekin fitimet e tyre, pavarësisht mandatit të tyre demokratik. Kjo do të hapte rrugën që jo vetëm të privatizohej shërbimi shëndetësor britanik, por dhe të bëhej i pa anulueshëm. Posta Mbretërore u privatizua nga konservatorët, por ishte BE ajo që filloi procesin duke vënë në zbatim liberalizimin e monopoleve natyrore të shërbimeve postare. Doni të shtetëzoni hekurudhat? Kjo do të thotë që të kalohet jo vetëm direktiva e komisionit evropian për hekurudhat 91/440/EEC, por dhe Paketën e Katërt të Hekurudhave.

Të tjera marrëveshje dhe direktiva imponojnë politika të tregut të lirë bazuar në privatizim dhe nxjerrjen në treg të shërbimeve tona publike. David Cameron propozon tani bisedime të reja që do të heqin dhe atë “pjesë të mira” që kanë mbetur nga BE, veçanërisht dalja nga rregullat e mbrojtjes së punësimit. Megjithatë, ai ka nevojë për të majtën që të mbështetë paketën e re të tij. A mund ta mbështesim ne këtë?
Le të flasim sinqerisht për frikën tonë. Ne kemi frikë se tërthorazi do të rreshtohemi me nacionalistët ksenofobë e kundër emigrantëve, dhe një rezultat i “jo-s” do të shikohet si hakmarrje e tyre. Armiqësia ndaj BE shihet e rezervuar për të djathtën e ashpër, dhe jo nga ato gjëra që mund ta shkojnë në mendje progresistët. E kjo është arsyeja – nëse shumica e të majtës vendos kundër qëndrimit në BE – që e majta të bëjë fushatën e saj veçmas dhe të përpiqet të fitojë pronësinë e kauzës.
Një fushatë e tillë duhet të përqendrohet në ndërtimin e një Britanie të re, me të drejta të punëtorëve, me një pagë minimale për të jetuar, pronësi shtetërore, akivizëm industrial dhe drejtësi taksimi. Një fushatë e tillë populiste do të ndihmonte të majtën të rilidhej me komunitet e klasës punëtore me të cilat ka humbur kontaktin shumë kohë më parë. Përndryshe frika ime është një përsëritje e referendumit skocez: por kësaj here, në vend të SNP [partia nacionaliste skoceze] si përfituese, do të jetë UKIP [Partia e Pavarësisë, e djathtë e ashpër]. Pa një fushatë të spikatur E Majta Jashë [BE], UKIP mund të zërë vendin e laburistëve në gjithë Anglinë e veriut. Kjo do të ishte një hakmarrje e vërtetë e Ukipërisë.

Dalja e të majtës kundër mund të shikohet si një tradhti e solidaritetit me të majtën në BE: Syriza dhe Podemos në Spanjë përpiqen të ndryshojnë institucionin, jo të dalin prej tij. Përvoja e Syrizas tregon se e kotë është ajo kauzë. Sidoqoftë, kërcënimi i daljes së Britanisë do t’i ndihmojë ato. Gjermania nuk ka arsye të ndryshojë taktikë: ajo përfiton shumë nga rregullat e tanishme. Nëse sjellja e saj shikohet si shkaku i prishjes së BE, kjo do të forconte krahun e atyre që kundërshtojnë status qou-në. Kauza për daljen e të majtës kundër BE po rritet gjithnjë e më shumë, dhe – më e pakta – shumë prej nesh duhet të zhytim këmbët në ujë.

"The Guardian"
"postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.