"Bota është një krijim artistik, realizuar sipas një stili shumë të veçantë”

Postuar në 24 Gusht, 2015 23:39

Nobelisti në fizikë, Frank Wilczek, ka dhënë një intervistë për gjermanen “Spiegel”. Universi, njeriu, e bukura, këto janë temat për të cilat flet Wilczek, që sheh tek arti dhe te shkenca dy fusha që “aktivizojnë të njëjtat qendra të trurit”. Më poshtë disa pyetje – përgjigje nga intervista:

SPIEGEL: Në librin tuaj të ri, “Një pyetje e bukur”, ju shkruani se fizika i drejtohet sensit tonë të së bukurës. A ju frymëzon arti kur studioni ligjet e natyrës?

Wilczek: Është e vështirë të thuhet se më frymëzon drejtpërdrejt, por unë jam i bindur se arti dhe shkenca aktivizojnë të njëjta pjesë të trurit. Truri na shpërblen për ndërveprimin që kemi me gjërat e bukura. Në këtë mënyrë, evolucioni dëshiron të na inkurajojë që të bëjmë çfarë është mirë për ne. Kjo ndodh në shumë gjëra padyshim, por një prej tyre është të kuptuarit ligjësinë e gjërave.

SPIEGEL: Ne përpiqemi t’u japim kuptim gjërave...

Wilczek: …Po. Dhe kur ia arrijmë, ne e percpetojmë atë si të bukur.

SPIEGEL: Çfarë ka të “bukur” te fizika?

Wilczek: Nuk e shihni si të mahnitshme, p.sh se ekuacionet që janë zbuluar për të përshkruar instrumentet muzikore janë shumë të ngjashme me ekuacionet atomike? Në një violinë, a në një piano, tingujt krijohen nga vibrimi i tastierës dhe telave. Tek atomet, ajo çfarë vibron është më abstrakte: ato janë të lidhura me ngjyrat e dritës që një atom i veçantë emeton apo përthith. Dhe kjo, në mënyrën e vet, është shumë e afërt me idenë e Pitagorës pas së cilës ai rendte kur e lidhte lëvizjen e planeteve me muzikën e sferave. Elektronet lëvizin rreth bërthamës së atomit pak a shumë si planetët rreth diellit. Ne mund t’i mendojmë atomet si instrumente muzikore që prodhojnë një muzikë sferassh shumë reale dhe shumë perfekte.

SPIEGEL: Po a janë këto ngjashmëri mes muzikës, atomeve dhe orbitave planetare më shumë sesa një koinçidencë?

Wilczek: Nëse është koinçidencë, atëherë është e mrekullueshme. Është një dhuratë.

SPIEGEL: Çdo artist ka stilin e vet. Kur ju kërkoni për ligjet e natyrës, a ndjeni se natyra ka stilin e vet gjithashtu?

Wilczek: Absolutisht. Bota është një krijim artistik, realizuar sipas një stili shumë të çuditshëm. Çfarë më duket veçanërisht impresionuese është roli i jashtëzakonshëm i simetrisë.

SPIEGEL: Mund ta shpjegoni këtë?

Wilczek: Sigurisht. Parimi i simetrisë, siç e përdorim në fizikë dhe matematikë, mund të përëshkruhet si “një ndryshim pa ndryshim”. E ndërsa kjo mund të tingëllojë si mistike, apo shumë e pazakontë, ajo do të thotë në fakt diçka shumë të thjeshtë. Çfarë e bën p.sh, një rreth një objekt kaq simetrik? E bën fakti se ju mund ta rrotulloni atë rreth qendrës së vet dhe ai do të mbetet po rreth. Në rastin e një trekëndëshi dybrinjëshëm, rrotullime të vogla do ta ndryshojnë atë, por nëse e rrotulloni me 120 gradë, ai rikthehet tek vetvetja. Ka pra kështu deri diku simetri, ndonëse më pak se rrethi. Ky koncept i simetrisë si “ndryshim pa ndryshim” mundet fare lehtë të përgjithësohet te ligjet e fizikës, apo përmes ekuacioneve që i shprehin ato.

SPIEGEL: Dhe kjo ju ndihmon që të kuptoni botën? Wilczek: Shumë. Një aksiomë kyçe nga teoria e relativitetit, p.sh., është se nëse ju e shihni botën nga një tren në lëvizje, gjërat mund të duken të ndryshme, por aty janë sërish të njëjtat ligje fizike. Në elektrodinamikë mund të bësh një numër transformimesh mbi fushën elektrike dhe magnetike, por ekuacionet janë po ato. Tani mund të kërkosh edhe për ekuacionet perfekte pasojat e të cilëve mbeten të pandryshuara pavarësisht të gjitha transformimeve. Këto janë, për ta thënë kështu, rrathët e ekuacioneve. Dhe duket se ato janë ekuacionet mbi të cilat funksionon universi.

http://www.spiegel.de/international/physicist-frank-wilczek-interview-ab...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.