Plani kundër evazionit i 2014-ës. A mund të besohet më kjo qeveri?

Postuar në 24 Gusht, 2015 14:48

Po sjellim një shkrim të përgatitur nga "Monitor" i cili kujton se premtimet për luftë ndaj evazionit janë të vjetra për këtë qeveri. Sepse premtimet janë bërë herët. Por mbyllja e aksionit të dikurshëm, pa zhurmë, çon në mendimin se kjo që po vjen është thjesht panik i qeverisë që do të prodhojë viktima vetëm më të dobëtit. Më poshtë shkrimi:

"Në fillim të vitit 2014 kur qeveria aktuale nuk i kishte më shumë se pesë muaj në pushtet dhe nisi të shlyente 720 milionë euro fatura të prapambetura njoftoi se, shlyerja e borxheve ndaj bizneseve do të pasohej nga një plan kontrolli që Ministria e Financave do të ushtronte në bizneset VIP.

Eksperimenti do të nisë me 100 kompanitë më të mëdha në vend, të cilat do të detyroheshin nga qeveria të certifikonin bilancin me një nga katër kompanitë botërore më të mëdha të auditit.

Ministri i Financave Shkëlqim Cani në një takim të fillim prillit 2014l me gazetarët e ekonomisë tha se, skema është gati. Pasi biznesit t’i jenë shlyer borxhet dhe të bëhen lehtësirat e nevojshme në legjislacionin fiskal gjatë këtij viti, më 2015 do të nisë praktika e re për mbledhjen e taksave që i takojnë shtetit.

Cani deklaroi në atë kohë se kompanitë e biznesit të madh do të detyrohen që me fondet e veta të kontraktojnë një nga katër kompanitë më të mëdha audituese në botë si KPMG, Deloitte etj me qëllim për të certifikuar bilancet vjetore të kompanive. Ky audit, sipas Canit, do të shpërbente edhe për kompanitë, por edhe për llogari ta tatimeve. Në vitin e parë, që do të ishte viti 2015 do të përfshiheshin në këtë projekt rreth 100 kompanitë më të mëdha në vend dhe më pas në vitin e dytë do të detyroheshin të 850 bizneset VIP.

Ky lloj kontrolli ishte anoncuar që kur të majtët ishin në opozitë si një mënyrat për të shmangur evazionin fiskal në kategorinë VIP të biznesit, e cila në të shumtën e rasteve operon me më shumë se një bilanc. Ministria e Financave sqaroi se, e kishte marrë këtë praktike nga vende të tjera në zhvillim ku ka njohur sukses.

Taksat që biznesi VIP paguan për arkën e shtetit arrijnë rreth 70 për qind të totalit të buxhetit.

Në kategorinë e bizneseve VIP përfshihen kompanitë e prodhimit dhe të tregtimit të karburanteve, bankat, kompanitë e ndërtimit të rrugëve, kompanitë e energjetikës dhe ato të telekomunikacioneve, si dhe kompani me aktivitet në tregti.

Ulja e evazionit fiskal është edhe një nga 23 kushtet e detyrueshme të marrëveshjes tre vjeçare që qeveria ka aktualisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Burimet nga Ministria e Financave patën pohuar se procesi i auditimit më biznesët e mëdha do të kryhej nga kompanitë “Price Waterhouse”, KPMG, “Deloitte” dhe “Ernst & Young”.

Edhe në relacionin për ndryshimet në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, publikuar në dhjetor 2013, thuhej se “ së shpejti, menaxhimi i tatimpaguesve të mëdhenj do të bëhet nga kompani të veçanta auditimi, të cilat do të përllogarisin detyrimet tatimore në emër të tyre”. Kjo masë, sipas financave, synon ndër të tjera, të heqë praktikën disavjeçare në Shqipëri të bizneseve shqiptare, të cilat mbajnë dy bilance, një për shtetin për të paguar taksa dhe një për vete me fitimin e tyre real tregtar. Një lëvizje e tillë ishte paralajmëruar edhe në shtator 2013, nga kryeministri i sapoemëruar Edi Rama.

Por tani kur viti 2015 po i drejtohet fundit, Ministria e Financave e ka ndryshuar timonin e projektit antievazion me 180 gradë. Plani për auditimin e bizneseve VIP u shua pa lënë gjurmë, teksa qeveria e ka nisur aksionin me biznesët e vogla që në fund të fundit nuk do të përmirësojë shpejt rezultatet e të ardhurave buxhetore, megjithëse burimet zyrtare kanë pohuar se nuk do të lihen jashtë vëmendjes dhe të mëdhatë".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.