A mund të sillet kryeministri si i Fortë? Tjetër incident për prishje qetësie

Postuar në 09 Gusht, 2015 21:06

Gazeta “Dita” raporton për një ngjarje absurde dhe shqetësuese në të njëjtën kohë. Një pilot me shtetësi gjermane dhe përfaqësuesi shqiptar i një firme që kryen shërbim me helikopter në Shqipëri, janë ndaluar pasi kanë prishur qetësinë e kryeministrit në Dhërmi. Këtyre ditëve ka patur lajme që flsinin për pezullim aktivitetesh të caktuara në mjedise private, pasi kështu thuhej se kishte kërkuar kryeministri që do qetësi. Por deri këtu ndoshta është tepër. Ja çfarë raporton “Dita”:

“Një oficer i pikës së kontrollit i ka pohuar përfaqësuesit gjerman të interesuar se urdhëri për ndalim është marrë pas një telefonate nervoze për “prishje të qetësisë së kryeministrit në Dhërmi” pasi helikopteri që drejtonte piloti gjerman i ka “kaluar dy herë sipër”. Kurse nga raporti zyrtar mësohet se piloti gjerman dhe përfaqësuesi shqiptar i firmës janë nisur dje nga Rinasi në një fluturim rutinë me të njëjtën procedurë që kanë kryer edhe më parë fluturime. Atyre u është dhënë OK për fluturimin me destinacion Greqinë si të gjithë herët e mëparshme pasi kanë paraqitur rregullisht itinerarin dhe planin e udhëtimit dhe pasi janë kryer kontrollet përkatëse. Por e njëjta pikë kontrolli në Rinas që u ka dhënë OK në nisje i ka ndaluar në kthim pa dhënë fillimisht asnjë arsye. Pas rreth 2 orësh tensioni u kanë komunikuar akuzën e “shkeljes së kufirit”, sepse nuk kanë “vulosur pasaportat” në dalje nga Rinas..Ka pasuar protesta e dy të ndaluarëve që kanë këmbëngulur se ka qenë e njëjta pikë kontrolli në Rinas që u ka dhënë OK një ditë më parë dhe që kanë udhëtuar në të njëjtën mënyrë rreth 40 herë të tjera. Pas presionit në rritje dhe telefonatave të shtetasit gjerman me zyrat qendrore të firmës dhe Ambasadën policët kanë nxjerrë si pretekst prishjen e qetësisë së kryeministrit që po pushon në Dhërmi. Sipas dëshmisë së pilotit gjerman kontrollorët kanë qenë nervozë dhe një prej tyre komunikonte vazhdimisht në telefon. Piloti që posedon edhe një certifikatë të NATO-s ka sqaruar se në asnjë rast nuk u është kërkuar të vulosin pasaporta dhe se është absurde që i njëjti ekip që i ka përcjellë në nisje të sillet në mënyrë të ndryshme në kthim. Edhe pala greke ka konfirmuar se bëhet fjalë për personel; pilot dhe operator bordi dhe nuk paraqitet e nevojshme vulosja e pasaportave. Një përfaqësues i firmës gjermane tha se ndjen keqardhje për incidentin. Sipas tij keqardhja është e shtuar edhe prej faktit që helikopterët janë vënë në dispozicion për urgjenca mjekësore, udhëtime shtetarësh dhe raste aksidentesh të rënda si dhe së fundmi për nevoja të bazës së Pashalimanit. “Të gjitha këto shërbime janë bërë me kërkesë të shtetit shqiptar. Ne nuk kemi marrë madje ende as pagesat për të cilat duke ditur vështirësitë e rasteve dhe rrethanat humanitare në shumë raste nuk kemi këmbëngulur” – shkruhet në një notë proteste të firmës drejtuar autoriteteve në Rinas...”.

Komentet janë të tepërta në këtë rast, por ngjarja, duke i besuar “Dita”, na shton keqardhjen për veten, teksa shohim një kryeministër që paska vuajtur të bëjë pak Të Fortin.
http://www.gazetadita.al/e-pabesueshme-i-prishi-qetesine-kryeministrit-n...
s.z

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.