Tërheqja e Romano Prodi-t dhe një shembull për t’u ndjekur

Romano Prodi, dy herë kryeministër i Italisë, dhe President i Komisionit Europian në periudhën 1999-2004, është një personazh, të cilin tentojnë ta thërresin nën armë sa herë që shtrohet nevoja për një personalitet të fortë në krye të një institucioni a dikasteri në Itali. Herën e fundit kur e bënë një tentativë të tillë ishte momenti presidencial në Itali, që fillimisht pati disa ‘djegje figurash’ (mes të cilëve dhe Prodin) e më vonë u finalizua by default me Giorgio Napolitano-n.
Këto ditë është folur dhe për një vardisje që Prodi-t ia ka bërë kryeministri rishtar i Italisë me synimin për ta patur ai anëtar të kabinetit të tij, por Prodi e ka mohuar që të jetë bërë ndonjë bisedë mes tij e Renzi-t. E me këtë rast, në përgjigje të një pyetjeje që iu bë gjatë një interviste në RAI 3 lidhur me ambicjen e tij presidenciale, ai tha: “Jo, as që bëhet fjalë; karriera ime politike është e mbyllur; secili duhet të kuptojë se kur është koha e tij e se kur kjo kohë ka ikur; tani është koha e të rinjve”.
Është një përgjigje e qartë, larg toneve qaramane e qurravitëse që nuk janë të pazakonshme për politikanët e staturës e të moshës së tij. Të bën përshtypje, megjithatë, që ai nuk lë asnjë shteg hapur. Përkundrazi, duket sikur ia mbyll vetes të gjtiha shtigjet që dikush mund t’ia mbajë të hapura. Duket sikur u thotë të tjerëve: “E di që shumëkush do të më shihte mirë në krye të Presidencës, por duhet ta heqin nga mendja një ide të tillë, pasi unë jam tërhequr njëherë e mirë në jetën time private”.
Është e sigurtë që këtë e thotë me dhimbje. Të gjithë ata që janë marrë gjatë me politikë e vuajnë shumë situatën kur kuptojnë se, për ta, loja ka marrë fund, por një pjesë zgjedhin të jetojnë vullnetmirë me këtë vuajtje, sepse kështu nuk lejojnë që karriera e tyre e gjatë dhe e rëndësishme të ketë një fund jo shumë dinjitoz, madje në ndonjë rast dhe qesharak. Nuk është se ndodh gjithnjë kështu, por rreziku që të ndodhë kështu është i përhershëm. Prodi me këtë deklaratë i ka bërë bisht këtij rreziku. Është inteligjent, s’ke ç’thua, dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet.
Dita
Add new comment