Sa pak duhet për t’i marrë mendjen mass-media-s

Postuar në 27 Janar, 2014 14:28

Në një ‘Zululand” të ca javëve më parë shkruaja lidhur me një shushatje të mass-media-s botërore, gjë që ilustrohet më së miri me fokusimin gjithnjë në rritje që kjo mass-media mban mbi ngjarje e veprimtari, në të cilat përfshihen njerëz që kanë marrë famë falë vanitetit të tyre, apo njerëz që e kanë hak famën, pasi kanë merita e talente, por që futen në konin e shikimit të medias për arsye të tjera. Merrja shkas nga mbulimi i shpërpjestimuar që iu bë një vizite të ish basketbollistit Dennis Rodman në Korenë  e Veriut dhe mbështetjen që ky i fundit i ka dhënë në më shumë se një rast despotit tekanjoz të këtij vendi.

Po i rikthehem sërish të njëjtit argument. Me një ilustrim tjetër. Para ca ditësh, u ndalua dhe u arrestua nga policia në rrugët e Miamit, në SHBA, ylli i pop-it, Justin Bieber. Kish pirë në një lokal, në Miami Beach, dhe pas kësaj i kish hipur Lamborghinit të vet e ish vënë të garonte me një makinë tjetër. Tërhoqi vëmendjen e policëve, të cilët e ndalën, dhe pasi u bindën se ish dendur me alkool, i vunë prangat. Dhe kjo ngjarje përbën, mbi bazën e të gjitha përkufizimeve të mundshme që jepen në librat e manualet e gazetarisë, një lajm. E në këtë kuptim, e keqja nuk është këtu. Është gjetkë.

Në momentin që Bieber-it po i ndodhte kjo ‘gjëmë’, kanali televiziv amerikan me akronimin kilometrik MSNBC po transmetonte një intervistë live të anëtares së Kongresit, Jane Harman. Kjo e fundit po thosh të vetën në debatin qëshhapur mbi NSA-në pas proçkës që kanë bërë agjencitë amerikane të sigurisë, duke përgjuar telefonatat e miliona njerëzve nëpër botë, përfshirë dhe presidentë e kryeministra të vendeve të tjera, mike e armike. Por anëtares së Kongresit ia lanë fjalën në grykë. Ndërhyri moderatorja, dhe tha: “Më ka ardhur një lajm, mos m’u largoni ju lutem! Pikërisht në këtë moment është arrestuar në Miami Justin Bieber …”.

Shumë televizione në botë e kanë bërë zakon të ndërpresin transmetimin e një programi live e të japin një informacion të rëndësishëm, por të ndërpresësh një bisedë live mbi një çështje me interes kombëtar, ngaqë duhet të japësh lajmin se është ndaluar nga policia Justin Bieber i dehur, kjo është një pesë me hiç, është idiotësi.

Shumë vetë në SHBA e kanë përqeshur këtë sjellje, por e gjitha kjo e ka burimin te flama e tabloidizimit të medias, edhe të asaj serioze, që nuk po mund t’i bëjë ballë tundimit pra për t’u marrë me Kardashianët, me një si Paris Hilton, me vardisjet që një i alkoolizuar si Rodman-i i bën një satrapi në Azi, apo me harbimet e një 18 vjeçari nëpër rrugët e Miami-t.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.