Paloka versus Liçaj; por Liçaj nuk është në rolin e tij

Para ca ditësh, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Ed Paloka doli në publik e tha: “Shihni kush është emëruar së fundmi specialist i antidrogës në Vlorë; Ardian Liçaj ka qenë një nga ushtarët e Zani Çaushit…; kjo nuk është hera e parë që ushtari i Zanit shpërblehet nga socialistët…; mësohet se ai është emëruar në Policinë e Vlorës pas vitit ‘997, por është shkarkuar në vitin 2003, sepse gëzhojat e pistoletës që mbante prej detyrës, u gjetën në një vendngjarje, në një plagosje të rëndë”.
Mua më bëri përshtypje reagimi që erdhi nga pala tjetër. Nuk e di se sa qëndrojnë ato që thotë Paloka. Madje, jam i prirur të mos i besoj (janë frazat e termat kuturú të llojit “ushtar i Zani Çaushit”, “gëzhojat e pistoletës së Liçajt janë gjetur në vendin e një krimi”, etj, etj, që më bëjnë të mos e marr seriozisht këtë deklaratë të Palokës), por nuk është kjo që më tërhoqi vëmendjen. Më bëri përshtypje diçka tjetër, reagimi i Liçajt; ose më saktë, fakti që ai u përgjigj duke i vënë gjilpërat majë për majë.
“[Periudha, për të cilën flet Paloka] ka qenë koha më e vështirë, pasi zoti Paloka dhe partia e tij e lanë Policinë e Shtetit në mëshirë të fatit”, thotë Liçaj në fillim të intervistës që ka dhënë për Shqipin e djeshëm. Mirëpo, kjo nuk është gjuha e një polici. Dhe është për të ardhur keq, që të gjithë deklaratën e ka ndërtuar në këtë mënyrë, dmth në stil sfidues, gjë që duket te fraza “do ishte më mirë t’i verifikonte [pretendimet që ka], para se të na përdorte për intrigat e tij politike”, apo kur thotë se “[kjo e Palokës] është hipokrizi”, apo kur e fton Palokën “[t’i futet hetimit, por ka për të marrë vesh se] ato pistoleta, e gëzhoja, janë të ndonjë njeriut të tij”, etj. Ndërsa në një moment thotë se “në atë BMW … ka qenë dhe i nderuari Frrok Çupi”. Duket se ka diçka edhe argëtuese në pafuqinë e tij për t’mos ia prishur ngasjes për të përkufizuar gjërat, ngjarjet, dukuritë, njerëzit, mú sikur të ish një komentator politik. Dhe është kjo ngasje jo prej polici që në këtë rast e bën të thotë “i nderuari Frrok Çupi” e në një rast tjetër do ta bënte fare pa të keq të thosh “zuzari Frrok Çupi”.
Kur do vijë dita që policët tanë të mësojnë se nuk hyn në drejtat/detyrat e tyre të marrin pjesë gjuhëzgjidhur në debatin publik, të japin faqe botës konsiderata të natyrës politike, t’i përgjigjen njërit a tjetrit me ton pickues a polemik, apo të përkufizojnë sjellje e karaktere të jetës publike?
Dita
Comments
E ku eshte pare qe te
<p>E ku eshte pare qe te akuzohet dikush dhe ai meqe eshte polic te mos pergjgigjet. Kjo nuk eshte llogjike.</p><p>Licaj beri mire qe dha pergjigje, keshtu ne njohim dy mendimet e tyre</p>
Add new comment