Kur vuvëve u vjen goja

Postuar në 23 Nëntor, 2026 18:52

Ka dalë sot me një qëndrim të vetin Plarent Ndreca, ish-sekretar i Përgjithshëm në ministri të disa qeverive dhe avokat i Erion Veliajt. Zoti Ndreca bën pjesë në sythat e rinj të kritikës brenda partisë që janë shtuar së fundmi për shkak të konflikteve në PS-në e klaneve. Janë klane që janë krijuar me paratë e buxhetit, jo me djersën e ballit dhe punën e ndershme siç kanë qejf të portretizojnë veten ekselentët që shpiken, apo sajohen sa herë ka nevojë pushteti në atë parti.

Dhe me këto para, bëhet politika e madhe, ushtrohet kritika objektive, flitet për demokraci, statut, solidaritet, progres. Edhe letra e fundit e Veliajt i ngjante promemories së Sejfulla Malëshovës për Enver Hoxhën apo letrës së Mehmetit nëse duam, me dallimin kryesor se historia përsëritet si karikaturë. Jo vetëm pse viktimat sot janë viktima të vjedhjeve dhe jo paranojave apo goditjeve të një lideri, por sepse propozimet dhe “idetë” janë asgjë më shumë se manovra për t’u riintegruar në pushtet.

Qëndrimi i zotit Ndreca, deri më dje një avokat i çdo absurditeti të qeverisë socialiste dhe kryeministrit Rama, na kujton pas rastit Beqja, Tahiri dhe Spiropali, se opozitarizmi, pavarësisht se nga cilat premisa niset, ngjan shumë në këtë shoqërinë tonë.

Zoti Tahiri ankohej për shtrembërime në procesin e tij pasi i vunë byzylykët, Ilir Beqja ka kaluar në meditime mbi drejtësinë sapo e arrestuan, Spiropali po anon drejt zoofilisië si strehë e fundit e krenarisë së saj, ndërkohë që Ndreca shënon me gërma dinjitare që të bëjnë kaq shumë për të qeshur:

Unë jam socialist sepse besoj te demokracia, te shteti i së drejtës, te solidariteti dhe te progresi. Besoj te një familje politike me histori, që jeton përmes njerëzve të saj. Socialistët që e ngritën Edi Ramën aty ku është, unë i kam miq, shokë dhe bashkëpunëtorë. Ata nuk janë as bujkrobër, as skllevër dhe as ushtarë.

Sigurisht, jam edhe avokat dhe deri dje, në sytë e Edi Ramës, isha i paparë. Sot, që rrethanat ndryshuan, jo për shkakun tim, nuk jam dhe aq. Me sa duket, edhe avokati i Erionit duhet të jetë në rreshtin partiak. Madje edhe doktorin e Erionit duhet ta caktojë partia dhe t'i tregojë se si t'ia operojë këmbën.

Ia kam thënë dhe po e përsëris. As më lëkund, as më dikton dhe as më impresionon dot. Për aq kohë sa Erion Veliaj dëshiron që unë të jem avokati i tij, do t'i qëndroj pranë dhe do t'i mbroj interesat me gjithë përkushtimin tim.

Kështu ma kërkon betimi im profesional, solidariteti si socialist dhe thirrja njerëzore që më vjen nga të gjallët e të vdekurit e atyre anëve ku i kam rrënjët.

Por që nga sot do të jem edhe një socialist që nuk hesht dhe që nuk e braktis lirinë në të cilën beson

Pikërisht, që nga sot. Kur humbja dhe shkelmi është fakt i pakthyeshëm. Pikërisht që nga sot edhe liria si instrument presioni e injoron disiplinën partiake e cila i mban këta vuvë të veremosur në radhë. Deri ditën kur mbeten jashtë grazhdit dhe kujtohen të flasin për atë për të cilën kanë tallur gjithkënd tjetër.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.