Aksesi në të dhënat e Europol, rezerva për vendet joanëtare
Holanda dëshiron që ndarja e të dhënave të policisë së BE-së me vendet jo-anëtare të besuara, përfshirë vendet kandidate, të ndërpritet në rast të një 'ndryshimi rrënjësor të regjimit'.
Ndërsa BE-ja po diskuton nëse do ta zgjerojë shkëmbimin e automatizuar të të dhënave të policisë dhe menaxhimit kufitar në vendet e treta të besuara, Holanda po kërkon një mekanizëm që bllokon këtë shkëmbim nëse ndryshojnë rrethanat politike.
"Është e rëndësishme që marrëveshjet e ardhshme të përcaktojnë bazat mbi të cilat një marrëveshje e tillë mund të ndërpritet, për shembull në rast se një vend i tretë i besuar i nënshtrohet një ndryshimi rrënjësor të regjimit", citohen nga Euronews burime brenda qeverisë holandeze.
Ato i përgjigjen një propozimi të Komisionit Evropian për të zgjeruar kuadrin Prüm, i cili lejon shkëmbimin e automatizuar të të dhënave policore, siç janë profilet e ADN-së, gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat e regjistrimit të automjeteve, në vendet e treta të besuara.
Komisioni sugjeron në mënyrë të qartë një listë të vendeve të besuara: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, vendet e asociuara të Shengenit si Norvegjia dhe Islanda, dhe vendet kandidate nga Ballkani Perëndimor, plus Ukraina dhe Moldavia.
"Është e rëndësishme të zhvillohen diskutime të hollësishme mbi kriteret që pritet të përmbushë çdo vend i tretë i 'besuar' i mundshëm. Përveç kësaj, me qëllim zgjerimin e BE-së, mund të jetë e vlefshme të merren në konsideratë edhe vendet kandidate të BE-së kur identifikohen vendet e treta të 'besuara', ku janë vendosur masa mbrojtëse të përshtatshme", citohet qeveria holandeze.
Holanda ka kërkuar më shumë masa mbrojtëse për shtetet e reja anëtare, jo për të evituar përsëritje të rasteve se ai i Hungarisë. Komisioni e mbështeti këtë ide në strategjinë e tij kryesore të zgjerimit të paraqitur më parë këtë javë.
Për Hagën, çdo marrëveshje për të shkëmbyer informacione të tilla të ndjeshme me partnerë të besuar duhet të mbështesë parimet e BE-së mbi mbrojtjen e të dhënave dhe të drejtat themelore, dhe nuk duhet të shkojë përtej asaj që shtetet anëtare ndajnë midis tyre.
"Përveç kësaj, është e rëndësishme që shtetet anëtare të jenë në gjendje të vazhdojnë të vlerësojnë me kujdes nëse, dhe në çfarë kushtesh, të dhënat që vijnë nga shtetet anëtare në sistemet e informacionit të BE-së ndahen me vendet e treta", thuhet në komentet e bëra nga Holanda.
Në të njëjtin dokument, i cili mbledh komente nga disa vende të BE-së, Sllovakia thotë se përparësi duhet t'u jepet vendeve të asociuara të Shengenit dhe kandidatëve të BE-së.
Bratislava argumentoi se "vendet e treta të besuara duhet të kufizohen në ato që bashkëpunojnë në mënyrë aktive për kthimet dhe ripranimet, ofrojnë informacion të besueshëm dhe të verifikueshëm dhe kanë një bashkëpunim të gjatë me shtetet anëtare dhe agjencitë e BE-së".
Ndërkohë, Gjermania dhe Belgjika paralajmëruan kundër nxitimit të zgjerimit ndërkombëtar, pasi sistemi aktual i shkëmbimit ende nuk arrin performancën optimale dhe përballet me pengesa të konsiderueshme.

Add new comment