A mund të quhemi ende një Komb?

Postuar në 12 Shtator, 2026 16:05

Sot ka patur një protestë të disa qytetarëve në Vlorë që janë ngritur kundër ngritjes së një muzeu hebraik në qytet në një zonë që e konsiderojnë me rëndësi për historinë e qytetit. Është e qartë për këdo se Edi Rama ka një politikë personale filohebreje për arsye që nuk kuptohen dhe po e ndjek atë megjithë provokimin e saj.

Por kjo nuk është një gjë e re. Kemi të bëjmë me episodin e radhës të shpikjes së historive dhe nevojës për të shërbyer që elitat e këtij vendi kanë përherë, duke qenë se asjëherë nuk e ndien veten të sigurtë në karrige. Sa monumente jugosllavësh dhe sovjetikësh ngriti Enver Hoxha? Sa simbole u emetuan për miqësinë me Kinën? Sa objekte kemi trashëguar nga koha e Italisë?!

Të gjitha shfaqje absurde e një servituti politik që e bën këtë vend një Karneval të përjetshëm. Me liderë që luftojnë për një histori të cilën e kanë përherë të dekretuar nga të tjerë.

Të gjitha monumentet tanimë janë zhdukur nga sheshet dhe rrugët që dikur mbanin emra liderësh globalë e që janë zëvendësuar me nocionet nënurbane shqiptare të tipit: Vëllezërit…

Në fund të fundit kjo është historia e shqiptarëve përkundër historisë së Shqipërisë e cila ka mbajtur rreth 16 pushtime, por zgjedh të celebrojë vetëm ato që preferon politika. Ku është epoka e Bizantit, po koha e sllavëve, po epoka otomane? Nuk janë histori ato vallë?

Në këtë kuadër grotesk të një shoqërie që po shpërbëhet përfundimisht, del në skenë edhe një tjetër episod që hyn te akademizmi i rrugës. Në Lezhë, me nismën e një personi komik të quajtur Marin Mema, është inauguruar monumenti i Mbretëreshës Teuta, një figurë periferike e historisë së këtyre territoreve, ardhur në analet e historisë për përballjen me romakët. Befas Teuta e sheh veten të instaluar si mbretëresha e Ultësirës Perëndimore edhe pse sot, vështirë se ajo do të njihte diçka nga Shkodra e dikurshme. 

Sigurisht që koha do t’i shuajë këto idiotizma që vijnë nga lart dhe nga poshtë, do ta harrojë këtë histori të shpikur dhe rishpikur nga emëruesi i përbashkët i mungesës së identietit, të identifikimit me një histori reale, për ta lënë këtë vend edhe njëherë, ose më mirë pëjetësisht Pagan dhe të zhveshur nga çdo e vërtetë. Duke ikur nga historia e vet, duke u përpjekur ta rimodelojë atë si modernitet dhe duke u rikthyer tek e ashtuquajtura autoktoni, jo siç ka qenë, por sërish, siç do të duhet të ishte. A meriton një shoqëri e tillë të quhet me të vërtetë Komb?

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.