Pesticidet helmojnë gati gjysmën e fermerëve të botës çdo vit

Pothuajse gjysma e fermerëve të botës helmohen nga pesticidet, pa e ditur. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore “Frontiers in Public Health”, çdo vit ka 433 milionë raste helmimi akut nga pesticidet, 11 000 nga të cilat janë fatale. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve regjistrohen në jugun e globit, në mënyrë të veçantë të Azinë Jugore e Juglindore dhe Afrikën Lindore.
Në Burkina Faso, gati 84% e fermerëve vlerësohet se vuajnë nga helmimi akut me pesticide çdo vit.
Studimi është kryer nga studiues të Rrjetit të Veprimit kundër Pesticideve (PAN), i cili analizoi 214 botime nga viti 2006 deri në vitin 2023 së bashku me të dhënat e vdekshmërisë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
"Pas këtyre shifrave marramendëse janë fermerët, punëtorët dhe familjet që paguajnë një çmim të tmerrshëm njerëzor për ekspozimin ndaj pesticideve," tha drejtori Ekzekutiv i PAN India, Jayakumar Chelaton. "Ky hulumtim ekspozon një krizë që nuk mund të injorohet më."
Gjetjet vijnë në një kohë kur pesticidet përdoren gjithnjë e më shumë për të mbrojtur prodhimin e ushqimit. Sipas studimit, përdorimin i tyre në shkallë globale është dyfishuar midis viteve 1990 dhe 2023.
Sipas FAO-s, 20%-40% e rendimentit global të prodhimit bujqësor mund të humbasë çdo vit për shkak nëse nuk përdoren pesticidet.
Rreziku që paraqesin pesticidet shtojnë sfidat më të gjera të sigurisë ushqimore, veçanërisht në vendet në zhvillim që tashmë përballen me tronditje klimatike, konflikte dhe presion mbi prodhimin bujqësor.

Add new comment