Këshillat e socialistit të fundit

Mero Baze ka dhënë sot këshillën e radhës për qeverinë e z. Rama. Ai po u thotë socialistëve: mos sqaroni protestuesit sepse ata janë kundër pushetit tuaj. Madje z. Baze shkon edhe më tej kur shprehet se:
Nuk di ç’punë ka qeveria të merret me këtë protestë. Qeveria ka për detyrë të mbrojë dhe garantojë investimet e huaja në vend dhe t’i qëndrojë deri në fund projektit të saj. Dëmi më i madh që mund t’i bëjë qeveria këtij vendi është të dështojë projekti dhe të merret me protestën.
Protestat janë një ngjarje e munguar në historinë e Shqipërisë për disa vite. Ato janë politikisht të qarta dhe janë baza e një opozite të re dhe një brezi të ri, që në thelb vetëm shkakun e kanë nga Zvërneci, se motivimin e kanë nga përjashtimi i tyre nga shoqëria, nga mospërfillja dhe gjendja depresive në të cilën gjendet e ardhmja e opozitës në vend.
Lërini ata në projektin e tyre dhe mbroni projektin për të cilin jeni votuar. Mbrojeni atë jo duke u marrë me protestën, por duke u marrë me letrat e shtetit, me ndihmën dhe garancinë ndaj investitorit të huaj dhe me krijimin e sigurisë juridike për këdo që investon në këtë vend, që nga ai që investon 100 mijë euro deri tek ata që bien miliarda. Shqipërinë e bëjnë ata që investojnë. Gjithë të tjerët jetojnë prej tyre, qoftë ata që dalin në protesta, qoftë ata që rrinë nëpër zyra
Pra, Baze po kërkon që të vendoset në shina juridike projekti i cili mesa duket nuk është në të tilla shina. Por më tej, ai shprehet disi ndryshe:
Nëse projekti dështon dhe nëse investitorët largohen nga SPAK-u, nga antisemitizmi apo nacionalizmi grek, qeveria është përgjegjëse deri në fund për dëmin që i ka shkaktuar vendit
Si vallë? Vetëm nga protesta nuk mund të dështojë ai projekt? As nga shkeljet ligjore që janë konstatuar nga SPAK? Çdo sukses kundër qeverisë është agjendë e huaj? Po çfarë gazetarie është kjo? Cili gazetar shqetësohet se disa njerëzve nga Katari u janë bllokuar llogaritë? Askush, por Baze është socialisti i fundit në këtë vend, nga ata të vjetrit që jetonin në Bllok. Sepse një gazetar që bën thirrje të injorohet protesta për llogari të pushtetit, në fakt jeton në Bllokun e vet, kur sheh nga Lart njerëz që në fakt janë aty sepse u ka ardhur në majët të hundës edhe nga kategoria e Bazes.
s.zaimi

Add new comment