Tensione dhe aludime për korrupsion në majën e Sistemit të Drejtësisë
Në dy “numra” të fundit të revistës digjitale “Dialog Juridik” publikohen dy shkrime që janë një replikë në distancë mes kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi. Thelbi i debatit(dialog nuk quhet) që formalisht merr shtysë nga disa vendime të Gjykatës së Lartë lidhet ose më mirë përpiqet të përcjellë mesazhe verbale për rregullimin e veprimtarisë së të dyja institucioneve. Konkretisht në shkrimin me titull: “Funksionimi kushtetues i gjykatës së lartë dhe garantimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, anëtari i Kushtetueses, Asim Vokshi, teksa evidenton bazën kushtetuese dhe ligjore të funksionimit të Gjykatës së Lartë, ndër të tjera vë në dukje se:
Në praktikën e Gjykatës së Lartë vihet re se vendimet njësuese/zhvilluese të praktikës gjyqësore, të cilat sipas ligjit janë parashikuar të merren me trupë gjykuese të përbërë nga 5 gjyqtarë janë mjaft të pakët në raport me numrin tepër të lartë të vendimeve të tjera të themelit, të cilët vendosen nga trupat gjyqësore të përbëra nga 3 gjyqtarë. Pyetja që shtrohet natyrshëm është nëse roli i Gjykatës së Lartë duhet të kufizohet vetëm tek dhënia e vendimeve njësuese/zhvilluese dhe zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave midis gjykatave, apo mund të shtrihet edhe tek shqyrtimi në themel (material apo procedural) i bazueshmërisë në ligj të vendimeve të gjykatave më të ulta, për shkaqe që nuk lidhen me njësimin/zhvillimin e praktikës gjyqësore
Siç mund të shihet z. Vokshi e nis parashtresën me një shqetësim që ka të bëjë me ndërhyrjen siç mund ta quajmë në këtë kuadër të Gjykatës së Lartë në juridiksion të gjykatave të tjera duke shtuar volumin e vendimeve për themelin e dosjeve jo për unifikim praktike. Ai thekson edhe “procesin seleksionues të rekurseve” që sipas tij ka rëndësi për uljen e stokut aktual dhe parandalimin e shtimit të tij në të ardhmen. Siç vë në dukje Vokshi:
Kjo procedurë i paraprin shqyrtimit në themel të çështjes dhe shërben si barrierë për çështjet e parandësishme. Aktualisht vetëm Kolegji Administrativ i kësaj gjykate, po përdor mekanizmin ligjor të parashikuar shprehimisht në Kodin e Procedurës Civile, për filtrimin paraprak të rekurseve që paraqiten për shqyrtim (që duhet bërë brenda 60 ditëve nga paraqitja e rekursit)
Fakti në fjalë është shumë i rëndë dhe ai fiton një natyrë të fortë polemike nëse mbajmë parasysh parashtresën e bërë nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi në fund të vitit që shkoi, që evidentoi pikërisht ritmin e lartë të gjykimeve nga ajo gjykatë në disproporcion me mundësitë. Mirëpo Vokshi e merr argumentin e prirjes në Gjykatën e Lartë për të hyrë në themel të çështjeve të shumta, si shkak për vonesën në dhënien e drejtësisë, një problem për të cilin ankohet pubikisht edhe Sadushi. Vokshi e quan madje stokun e krijuar si “nyja gordiane” që duhet:
të adresohet përmes rikonceptimit të veprimtarisë së kësaj gjykate në përputhje me rolin e saj kushtetues, duke e kufizuar shqyrtimin në themel vetëm tek ato çështje që ngrenë problematika të një rëndësie themelore lidhur me interpretimin dhe zbatimin e ligjit, me qëllim sigurimin e njësimit ose zhvillimit të praktikës gjyqësore
Ai e mbyll shkrimin madje me “rekomandime” që lidhen me dy pikat e vetme të diskutimit: reduktim të vendimeve për themelin(conform dispozitave që rregullojnë veprimtarinë e saj) dhe filtrim të rekursve. Parashtrimi ngjan si leksion me hyrje të lirë, pasi është pak e guximshme që një gjykatës të ofrojë sugjerime të tilla për gjykatën më të lartë në vend, edhe pse i elaboron ato si mendime të doktrinës, kur në fakt janë aspekte të dispensave didaktike. Në replikën e vet(padyshim një refleksion), Sadushi nuk e fsheh nervozizmin, që duket që te thuktësia e saj. Ajo nis me evidencën e një “manie të Gjykatës Kushtetuese” në vlerësimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë:
Ndërkohë që GJL po tregon çdo ditë e më shumë prirjen për të qenë gjykatë e ligjit (dhe jo e faktit), ajo ndeshet me një rezistencë, e cila, ndryshe nga sa pritet, nuk vjen nga palët apo gjykatat më të ulta, por nga vetë GJK. Kjo gjykatë tashmë e ka kthyer në praktikë të zakonshme gjetjen e mangësive në arsyetim të vendimeve të GJL, duke i kërkuar asaj që t’i japë përgjigje çdo pretendimi të palëve, pavarësisht nëse përbën shkak për rekurs. Mjafton që pretendimi të ketë “veshje kushtetuese” dhe kjo përbën, sipas saj, shkak për të marrë në shqyrtim rekursin
shkruan Sadushi. I cili e mbron “gjykatën e vet” duke kritikuar praktikën e “gjykatës së Vokshit” që nisin nga vendime që tejkalojnë juridiksionin e saj kur sugjeron njësim praktike për çështje të caktuara që janë “pjesë e hapësirës vlerësuese të Gjykatës së Lartë”; kur Gjykata Kushtetuese “regullisht thekson se pretendimet me natyrë kushtetuese kërkojnë një trajtim më të thelluar nga Gjykata e Lartë”; kur “ka hyrë në mënyrën e kualifikimit juridik të çështjes, duke identifikuar elemente që, sipas saj, duhej të ishin trajtuar nga GJL, gjë e cila është tërësisht në fushën e juridiksionit gjyqësor, dhe jo atij kushtetues” dhe së fundmi kur:
kontrolli kushtetues shoqërohet me analiza të zgjeruara të natyrës materiale, të cilat afrohen me vlerësimin e themelit të çështjes, ku është e vështirë të kuptohet ndarja e juridiksionit kushtetues me atë gjyqësor në disa raste
E thënë shkurt: Vokshi thotë e Gjykata e Lartë ka probleme në praktikën e vet gjyësore me pasoja krijim stoku dhe vonesë drejtësie që përfaqëson cenim të të drejtës kushtetuese të qytetarit, Sadushi replicon duke evidentuar se vetë Gjykata Kushtetuese tejkalon fushën e vet me vlerësime që nuk i takojnë. Sadushi flet për një ndërveprim intensiv mes juridiksionit gjyësor dhe atij kushtetues “që meritojnë vëmendje dhe adresim nga të dyja gjykatat”…sidomos me:
Qartësimin e kufijve funksionalë
Nga një pamje e jashtme diskutimi ngjan si përballje konceptesh. Por me pak kujdes ne mund të vëmë re se Vokshi ka ngritur një AKUZË, pasi nëse praktikat që ai evidenton janë ashtu siç i përcjell ai, atëherë Gjykata e Lartë është pjesë e problemit të drejtësisë në vend me vonesa në dhënien e saj, burokratizimin, me paaftësinë nëse duam. Më tej akoma: akuza për rekurset dhe themelin implikon në një mënyrë apo tjetër, çështje të KORRUPSIONIT pasi në një çështje civile “aty është edhe çështja”.
Nga ana e vet përgjigja e Sadushit kalon në rrafsh kushtetues, diçka paradoksale nëse mbajmë parasysh faktin se nëse Vokshi intepreton praktikën e Gjykatës së Lartë në bazë të ligjeve, Sadushi kalon në gjykim kushtetues të veprimtarisë së saj. Më tepër sesa diskutim, kjo përballje ngjan si incident i një raporti të ndërlikuar dhe të dyshimtë në majën e drejtësisë shqiptare.

Add new comment