Artikulohet skenari i ndërhyrjes tokësore
Mjaftuan vetëm 48 orë që “Epic Fury” i iniciuar nga SHBA të vihet në diskutim serioz. Sot raportohet se Sekretari i Luftës, Peter Hegseth, por edhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes tokësore në Iran. Vetë artikulimi i këtij skenari ilustron faktin se SHBA duket se kanë rënë në gabimin e Rusisë me operacionin ndaj Ukrainës. Ideja është për qitje të shpejtë, asgjësim lidershipi dhe paralizim. Praktika provon të kundërtën.
Më tej akoma, informacionet zyrtare flasin për ridislokim të njësive amerikane në Qipro, ndërkohë që ndihma e aleatëve europianë, provon se SHBA dhe Izraeli nuk përmbushin dot objektivat të vetëm, apo të paktën në kohën e duhur.
Kundërveprimi me ofensivë tokësore konfirmon se për momentin rendin e veprimeve po e dikton operacion mbrojtës iranian, i cili teksa ka kontaminuar mbarë rajonin, ka prekur edhe rrugët e naftës dhe rezervave të gazit.
Nuk ka të dhëna të sakta për kapacitetet goditëse të Iranit që aktualisht drejtohet nga një Këshill Tranzitor, por është e qartë se përballja në tokë do të shpalosë të tjera realitete. SHBA sot i mungon objektivi real pse ndërhyri në Iran, një operacion tokësor është edhe deficitar në aspektin strategjik: nëse ndodh ai do të vijë vetëm për shmangur Humbjen dhe dështimin që do të ishin katastrofa e SHBA në mbarë Lindjen e Mesme dhe skenën ndërkombëtare.
Donald Trump ka folur shpesh për luftërat e pambarimta të Amerikës. Të cilave siç premtonte ai do t’u jepte fund. Sot në Iran ai po hap derën e një lufte që jo vetë mund të mos ketë fund, por me gjasë do të jetë një luftë që do të ripërcaktojë Lindjen e Mesme, rendin ndërkombëtar dhe rrjedhën ekonomike. Trump po rrezikon më shumë sesa një luftë të pambarimtë, pasi për ta thënë me një fjalë nga Revolucioni frëng që lidhet disi me vrasjen e pakuptimtë të Khameneit: është më shumë se gjithçka një Gabim.

Add new comment