Studimi/Kroatishtja me statusin e gjuhës ndërkombëtare në shekujt '16-'17

Postuar në 27 Nëntor, 2025 19:25
Skerdilajd Zaimi

 

Në mediat kroate këtë javë ka bërë një farë buje punimi i shkurtër i Stjepan Krasic, historian, teolog dhe pjesë e Urdhërit Domenikan që sjell gjashtë dokumente të reja nga arkivat e Vatikanit mbi të cilat sugjeron një tezë disi intelektualisht provokuese: Kroatishtja si gjuhë ndërkombëtare në shekujt 16 dhe 17.

Burimisht dokumentet janë vjelë në Kongregacionin e Përhapjes së Besimit(Congregatio de Propaganda Fide) dhe siç shkruan autori si qëllim të studimit të vet ka patur periudha të aktivitetit misionar dhe politikave gjuhësore të Kishës Katolike, kohë kur u formuluan edhe strategjitë e ungjillizimit të popujve sllavë.

Jemi në kohën e krizës së Protestanizmit, pas Koncilit të Trentos dhe nisur nga konsultimet e gjera, Vatikani konkludon se gjuha kroate u zgodh si gjuha më e përshtatshme për komunikim me popullsitë sllave. Në vazhdën e këtyre vendimeve në vitin 1599 u themelua Akademia e Gjuhës Ilire në Kolegjin Romak duke krijuar kështu kushtet që gjuha kroate të hynte si gjuhë e detyrueshme në universitetet më të njohura të kohës si ai i Bolonjës, Salamankës, apo Parisit.

Dokumentet që mbështesin këtë tezë të Krasiç janë një letër e gjuhëtarit sllovak Theophilus Kristek drejtuar gjuhëtarit spanjoll Alfonso Carrillo, një letër e këtij të fundit për Gjeneralin e Parë Jezuit Claudio Acquaviva në janar të vitit 1600, një dekret i Ppapa Gregorit XV më 1622 që bën të detyrueshme mësimin e gjuhës ilire(kroate) në Repubikën e Venecias; dekreti i papa Urbani VII e 1623-it që e përfshin kroatishten mes gjuhëve kryesore të detyrueshme për t’u mësiar në universitete; udhëzimet zyrtare të Kongregacionit për Propaganda Fide e 17 dhjetorit 1624 për drejtuesit e urdhërave fetarë që përgatisnin misionet të së ardhmes si dhe korrespondenca mes Kongregacionit dhe Urdhërit Domenikan të vitit 1628.

Si e tillë gjuha kroate mori statusin e lingua franca mes sllavëve në kuptim të aq sa ajo vlente në zbatim të një strategjie fetare të Vatikanit. Studimi hedh dritë mbi një moment përcaktues në historinë e rajonit, duke qenë së në atë kohë kroatishtja aderonte në një nga tre dialektet sllave ballkanike – çakavian, shtokavian dhe kajkavian. Si bazë e parë studimore u përdor një fjalor pesëgjuhësh ku kroatishtja përafrohet me dalmatishten, fjalor i përpiluar nga Faust Vrançiç. Mandej për qëllime të politikës së Vatikanit, në vitin 1604, në Romë publikohet një gramatikë e parë e gjuhës kroate nën autorësinë e Bartol Kashiç. Titulli është kumbues: Institutionum linguare Illyricae libri duo.

Supozimi bazë ishte se ata që dinin ilirisht do të ishin në gjendje të komunikonin pa ndonjë vështirësi të madhe me popullsi të tjera sllave, përfshirë popullsitë ortodokse të Europës Lindore. Gjuha thjesht duhet të ishte më e qartë dhe përkufizuar, e standardizuar në mënyrë që të shërbente si një lingua franca, apo një lloj koineje për botën e gjerë sllave

shkruan autori që shton ky moment shënoi nisjen e qasjes shkencore ndaj guhës kroate, me gramatikën në fjalë si një:

zhvillim madhor në historinë e kulturës kroate

Ndodhur mes presioneve në rritje të një kohe që kishte gjetur më në fund shtypshkrimin, i ishte rikthyer filozofisë antike, por pa hequr dorë nga përhapja e narrativës kristiane, Vatikani u detyrua të rishikonte startegjinë e vet krysisht në lëmin e gjuhës. I shtyrë ga suksesi i Martin Lutheri që fitoi terren me predikimin në gjermanisht, përkundër latinishtes, Kisha zgjodhi të përdorte të dyja gjuhët në misionet e veta mes popujve sllavë.

Gjuha u bë një shqetësim qendror si për protestantët ashtu edhe për katolikët,-shton autori që e zgjeron kontesktin e përpjekjes së papatit në tubimin e katolikëve dhe ortodoksëve kundër turqve dhe protestantëve. I takon kësaj kohe skizma ukrainase e Brest-Litovskit që më 1595 pranoi bashkimin me Kishën Katolike.

Kuptimi i drejtë historik i kësaj periudhe ndihmon për ta rrokur në tërësinë e vet edhe dukurinë gjuhësore të shqipes që nis jetën me Mesharin e Gjon Buzukut, shtypur më 1555. Analiza e veprës është bërë më herët, por duhet thënë se thirrjes së Papës iu përgjigj edhe Patriarku i Pejës më 1596, çka e vendos të gjithë arealin ballkanik në një suazë gjuhësore. Kroatishtja bashkonte në vetvete cilësi që e bënin favorite mes gjuhëve sllave: i takonte një popullsie katolike dhe përdorej si gjuhë liturgjike.

Eventualisht statusi i saj i gjuhës ndërkombëtare, i hapi udhë gjuhës kombëtare kroate, të standardizuar për nevoja të fesë katolike që ia cedoi këtë avantazh përkundër latinishtes si gjuhë e vdekur. Në atë bazë dokumentare që është shfrytëzuar nga Krasiç ka gjasa të figurojnë edhe të dhëna për shqipen që në dritën e kësaj që lexojmë ngjan se ka dashur të mos shkruhet nga folësit e vet të kohës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.