Europa i kundërpërgjigjet planit Trump për paqen

Postuar në 23 Nëntor, 2025 17:15

Evropa ka përgatitur tashmë një kundërpropozim ndaj planit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për paqen në Ukrainë. Ky propozim kërkon përdorimin e aseteve të ngrira të Moskës për rindërtimin e Ukrainës dhe për kompensimin e Kievit, si dhe një garanci sigurie nga SHBA-ja që pasqyron klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë në Nenin 5 të NATO-s.

Evropa gjithashtu hedh poshtë kërkesat e Moskës për transferimin e territorit të papushtuar në lindje. Sipas Bloomberg, e cila u referohet burimeve që kanë dijeni me çështjen - kundërpropozimi do t'u paraqitet Shteteve të Bashkuara gjatë bisedimeve në Gjenevë.

Detaje të tjera të propozimit europian janë bërë të ditura nga Reuters. Sipas saj, kundërpropozimi evropian ndaj planit të paqes së Trump propozon kufizimin e numrit të trupave ukrainase në 800,000 "në kohë paqeje" (krahasuar me 600,000 në planin amerikan).

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump, akuzon evropianët se "vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia". Ky sulm i ri nga Trump, i përfshirë në një postim në Truth, vjen ndërsa në Gjenevë po zhvillohen bisedime komplekse për të bindur Ukrainën të pranojë planin e paqes të SHBA-së, ku përfshihen delegacione nga vendet e BE-së, SHBA-të dhe Ukraina.

"Udhëheqja ukrainase nuk ka shprehur mirënjohje për përpjekjet tona dhe BE vazhdon të blejë naftë nga Rusia. SHBA-të vazhdojnë t'i shesin sasi të mëdha armësh NATO-s për t'i shpërndarë Ukrainës (i korruptuari Joe Biden i dha gjithçka, falas, falas, falas, përfshirë një sasi të madhe parash!). Zoti i bekoftë të gjitha jetët e humbura në këtë katastrofë njerëzore!", shkroi Trump në Truth.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.