17 ton kokainë e sekuestruar, qarkullim rreth 3 miliardë euro - SPAK godet organizatën e trafikut
Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar, njofton sot për ekzekutime të masave të sigurimit ndaj anëtarëve dhe drejtuesve të asaj që e cilësion si një “organizatë të nivelit të lartë përfshirë në trafikimin e kokainës dhe pastrimin e parave”. SPAK vë në dukje se hetimet janë koordinuar me Europol, autoritetet belge, franceze, holandeze, gjermane dhe italiane dhe kanë marrë në analizë të dhënat e gjeneruara nga shërbimi i enkriptuar i mesazheve, SkyECC.
Në kontekstin e kësaj organizate kriminale, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.187/2023 për veprat penale te “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283/a, 287, 333/1 dhe 2 e 334/1 të Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 16 (gjashtëmbëdhjetë) shtetasve shqiptarë, kërkesë e cila është miratuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Gjykata e Posaçme) me vendimin nr.82 akti datë 06.08.2025, duke vendosur masën “arrest në burg”, bazuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale për 14 (katërmbëdhjetë) persona dhe për 2 (dy) të tjerëve ka caktuar masën e sigurimit detyrim për tu paraqitur ne policinë gjyqësore.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit kanë ekzekutuar masat e sigurimit për 9 të hetuar (përfshirë edhe një nga drejtuesit), prej të cilëve 7 me masën“arrest me burg” dhe 2 me masën “detyrim paraqitje”, ndërsa një prej të hetuarve gjendet aktualisht i arrestuar në një vend të BE – së (drejtues i organizatës). Po punohet për ekzekutimin e masave të sigurimit për 6 persona të tjerë
thuhet në njoftim.
Sipas prokurorisë, organizatës në fjalë i janë sekuestruar në harkun kohor të viteve 2020-2021, 17 ton kokainë me vlerë treegu 3 miliardë euro. Sipas SPAK, ajo mund të cilësohet si një ndër organizatat më të fuqishme shqiptare të trafikut të drogës dhe në të bëjnë pjesë Ervis Çela, Ardian Çela, Franc Gergeli Çopja, Julian balla alias Hysni Balla dhe ndaj Petrit Plakatos.
Add new comment