Moska tërhiqet nga traktati për armët konvencionale në Evropë

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nisur procedurat parlamentare për t'u tërhequr zyrtarisht nga Traktati për Forcat Konvencionale në Evropë (CFE). Lajmin e bën të ditur RT. Moska e kishte pezulluar pjesëmarrjen e saj në këtë traktat që nga viti 2015.
Në fuqi që nga viti 1990, traktati CFE ishte një nga gurët e themelit të tentativës për de-përshkallëzimin e tensioneve midis bllokut të Paktit të Varshavës dhe NATO-s gjatë ditëve të fundit të Bashkimit Sovjetik.
Marrëveshja u ndryshua në vitin 1997 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por vendet e NATO-s, siç pretendon Moska, nuk i kanë ratifikuar këto ndryshime.
Marrëveshja vendosi kufizime për dislokimin e forcave konvencionale në kontinentin evropian dhe përcaktoi mekanizma të ndryshëm transparence, të tilla si inspektimet verifikuese.
Moska është ankuar prej kohësh se zgjerimi i bllokut ushtarak të udhëhequr nga SHBA, i cili përfshinte pranimin e ish-anëtarëve të Paktit të Varshavës, minonte traktatin.
Në vitin 2007, Rusia njoftoi një pezullim të pjesshëm të CFE-së, duke dhënë si arsye mosrespektimin e marrëveshjes nga anëtarët e rinj të NATO-s, ushtritë e të cilave, sipas saj, kanë tejkaluar limitet e specifikuara në traktat. Moska u tërhoq plotësisht nga mekanizmat CFE në vitin 2015, duke argumentuar se nuk shihte asnjë arsye për pjesëmarrje të vazhdueshme.
Add new comment