Në Tiranë një konferencë rajonale për ekstremizmin e dhunshëm, Sarah Sewall: Ky rajon ka një histori të pasur me bashkëjetesën paqësore dhe tolerancë

Takimi rajonal i ministrave të brendshëm nisi në Tiranë me pjesëmarrjen e 12 shteteve nga Ballkani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Ekstremizmi i dhunshëm dhe bashkëpunimi rajonal për të parandaluar dhe këtë dukuri ishte në qendër të diskutimeve nga organizatorët shqiptarë dhe pjesëmarrësit e tjerë. Zv/Sekretarja amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall, tha se ky rajon ka një histori të pasur me bashkëjetesën paqësore dhe tolerancën, ndaj kjo është e rëndësishme për banorët e vet, sidomos për të rinjtë. Ajo tha se terroristët mobilizojnë të rinjtë për t'i përfshirë në veprime terroriste. Sipas saj, rruga e vetme për t'u përballur me këtë sfidë është bashkëpunimi me plane të qarta midis aktorëve vendas dhe aleatë ndërkombëtarë kundër terrorizmit. Sewall tha se terroristët nuk shohin kufij politikë, prandaj bashkëpunimi i të gjithëve është i domosdoshëm sa herë që shohim se si ata radikalizojnë të rinjtë dhe i frymëzojnë për të kryer akte dhune. Parandalimi i terrorizmit, sipas saj, është nevoja të shkojë edhe më tej në kohë, ndaj ne po i kushtojmë tani më shumë kujdes edukimit të fëmijëve, që të mos bëhen terroristë. Ajo tha se rinia ka nevojë për mesazhe pozitive mbi të ardhmen, dhe ne duhet t'u tregojmë se kujdesemi për ta më shumë se sa fondamentalistët. Shërbimet sociale duhen përmirësuar, mundësitë ekonomike dhe arsimore duhen shtuar, disomos për shtresat e diskriminuara. Të gjitha vendet së bashku mund të bëjnë shumë më tepër për parandalimin e këtyre krimeve dhe për të përballuar këtë sfidë të terrorizmit.
Takimi rajonal i ministrave të brendshëm që u mbajt në Tiranë erdhi pak kohë pas samitit që u organizua në departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington me mbështetjen e presidentit Obama. Në të dyja takimet ekstremizmi i dhunshëm u studiua si një sfidë globale. Shqipëria njihet si faktor me rëndësi në rajon për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ajo është pjesë e bashkëpunimit rajonal mes agjencive ligjzbatuese të rajonit në përballimin e këtyre akteve.
Add new comment