Një “Luftë e Re e Ftohtë” me Kremlinin? Një term i gabuar që zbulon keqkuptimin e Rusisë nga Perëndimi

Ndërhyrja në Gjeorgji në vitin 2008, por sidomos zhvillimet e fundit në Ukrainë, kanë rigjallëruar debatin dhe retorikën politike në Europë mbi atë që cilësohet si rreziku rus. Presidenti Vladimir Putin u krahasua me Hitlerin kur mori Krimenë, vetë okupimi i kësaj të fundit u krahasua me Sudetet, ose me pushtimin sovjetik të Çekosllovakisë më 1968-ën. Së fundmi, politika europiane, apo ajo amerikane dhe media kryesore në Perëndim po flet përherë e më shumë për një Luftë të re të Ftohtë. Me pasojat që krijon perceptimi që nxit ky term merret në një ese të vetën Andrew Monaghan, publikuar nga “Catham House” një nga qendrat analitike më me ndikim në botë. Monaghan këmbëngul se termi Lufta e re e Ftohtë është i paqëlluar dhe pasqyron një kuptim të gabuar të historisë, por edhe të Rusisë së sotme. Por më keq, ai ngurtëson një raport të paqenë duke shtyrë mendimin ushtarak dhe atë politik në planifikimin e përballjes me “luftëra të së shkuarës”. “Nëse mendimi korrupton gjuhën, atëherë edhe gjuha mund të korruptojë mendimin”, citon Orwellin, Monaghan. Së pari konfliktet ideologjikë janë në rënie të plotë në botë, por ka një rritje të diferencave në vlera. Në vlerat e shoqërisë, të rolit të shtetit, apo edhe të religjionit. “Kemi më shumë një përplasje të dy Europave”, shton autori, sipas të cilit nga një anë është qasja liberale e Perëndimit dhe nga ana tjetër qasja konservatore e Rusisë. Referencë për këtë është fjalimi i Vladimir Putinit në vitin 2013 në Valdai Club, kur ai fliste për krizën e identitetit, për vlerat kristiane dhe për popullarizimin e martesave mes homoseksualëve, si modele në tendencë globalizuese. Nga kjo pikëpamje konservatorizmi rus në vështrimin e vlerave ka çuar në sofistikimin e politikave dhe planifikimit ushtarak, sidomos në aspektin praktik, gjithnjë me synim “mbrojtjen e vlerave tradicionale”. “Është e njohur p.sh që operacionet e Rusisë në Krime dhe lufta në Ukrainë, bart elementë të kundër-rebelimit, luftës mes komuniteteve, të vështirësisë në identifikimin dhe rreshtimin e pjesëmarrësve, si dhe të zinxhirit komandues. “Mësimet” ushtarake të Luftës së Ftohtë nuk mund të aplikohen arbitrarisht në situata të ndryshme. Disa e kuptojnë këtë. Philip Breedlove, Komandanti Suprem i NATO-s në Europë, ka përcaktuar me saktësi operacionin e Rusisë në Krime si një “ofensivë e shekullit të 21”, vijon autori. Ndërkohë Perëndimi vijon të mbahet në arkitekturën e sigurisë që trashëgon nga Lufta e Ftohtë, si NATO, apo OSBE. Monaghan duket se i jep të drejtë Rusisë në përpjekjen e saj për të rishikuar këtë arkitekturë sigurie, por duke mos parë tek iniciativat e Kremlinit një prirje për të rigjallëruar axhendat sovjetike të Luftës së Ftohtë. “E gjitha kjo flet për një “përplasje të dy Europave” që është shfaqur dekadën e fundit, mes modelit perëndimor të BE-së dhe vizionin krejt të ndryshëm të Rusisë. Kjo ndarje duket se do të ruhet në terma afatmesëm, në formën e vizioneve konkuruese mes arkitekturës euro-atlantike të sigurisë dhe si një përplasje mbi të tjera vlera...Këto pika janë në qendër të një rivaliteti strategjik, teksa Moska kërkon të ndryshojë dhe sfidojë arkitekturën europiane të sigurisë dhe të politikës përmes akteve politike dhe diplomatike...”, shkruan Monhagan. Problemi me përgjithësimin e të gjithë këtij rivaliteti në termin Luftë e re e Ftohtë qëndron te mungesa e një kuptimi real që t’i përgjigjet këtij përshkrimi. Aq më tepër që sipas Monaghan, kuptimi i Luftës së Ftohtë ka evoluar shumë në Perëndim qysh nga viti 1989, përveçse Perëndimi është shtuar me partnerë të rinj nga ish-Lindja komuniste, që kanë memorie krejt tjetër për këtë periudhë. Dhe krijojnë asosacione krejt të tjera nga vendet e Perëndimit ndaj aksioneve të Rusisë. Problem krijon edhe fakti se me përfundimin e Luftës së Ftohtë, burimet dhe vëmendja kryesore e Perëndimit u përqendrua gjetkë, duke e vështruar Rusinë përmes inercisë që sillte trashëgimia e përballjes 50-vjeçare. Eseja hedh dritë mbi mungesën pra të një mendimi të përditësuar dhe objektiv të planifikuesve ushtarakë dhe politikë të Perëndimit në adresë të Rusisë: “Termi “Lufta e Re e Ftohtë” nuk është një udhëzues për veprim, por një burg që kufuzon dhe frenon të menduarin. Ai e bën të vështirë për Perëndimin që të zhvillojë strategji realiste dhe të bazuara dhe që t’i përgjigje kohës për t’u përballur me situatën në Ukrainë apo me Rusinë; ai shton madje rrezikun e zgjedhjeve të gabuara politike”, konkludon Monaghan.
http://www.chathamhouse.org/publication/new-cold-war-abusing-history-mis...
s.z
Add new comment