Lu: “Refuzim i vizave për zyrtarët, gjykatësit, prokurorët dhe deputetët e korruptuar”. Politikanët kriminelë? “OJQ-të dhe gazetarët ndihmojnë votuesit të marrin vendime më të informuara mbi kandidatët”

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se ndaj zyrtarëve, deputetëve dhe gjykatësve shqiptarë do të aplikohet refuzimi i vizave, nëse ata do të vlerësohen se janë të korruptuar. “Shpallja Presidenciale Nr. 7750, i jep Sekretarit të Shtetit autoritetin të ndalojë lëshimin e vizave amerikane zyrtarëve, gjykatësve, prokurorëve dhe deputetëve të huaj të korruptuar. Ne e përdorim këtë kompetencë anembanë botës për të promovuar luftën kundër korrupsionit. Presim që së shpejti të shqyrtojmë rastet e para në Shqipëri”, tha Lu, duke bërë të qartë angazhimin e SHBA për të kontribuuar që korrupsioni dhe krimi të mos unifikohet përfundimisht me shtetin në Shqipëri. Lu ka folur jo për persona të inkriminuar në politikë, por për Politikanë Kriminelë, të cilët sipas tij nuk mund të përfaqësojnë të ardhmen e Shqipërisë. Me këtë rast, ambasadori amerikan, ka nënvizuar rolin e medias dhe të OJQ-ve në sqarimin e votuesve për kandidatët në zgjedhje. Një rol që siç jemi të gjithë dëshmitarë nuk i ka përlqyer aspak mazhorancës së sotme, e cila nuk ka një qëndrim të qartë dhe publik për dekriminalizimin e listave të kandidatëve. “E ardhmja e demokracisë në Shqipëri nuk janë as politikanët kriminelë dhe as blerja e votimeve. Janë OJQ-të dhe gazetarët ata që i ndihmojnë votuesit të marrin vendime më të mira e më të informuara mbi kandidatët”, tha Lu.
s.z
Add new comment