Gara për Himarën, tre kandidatë përplasin platformat dhe kritikojnë qeverinë, e zgjedhura e PD-së nuk pranoi të përballej me rivalët

Kandidatët për Bashkinë e re të Himarës ishin përballë njëri-tjetrit mbrëmjen e së mërkurës në “Top Show”. Jorgo Goro, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, njëkohësisht kreu aktual i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri kandidat i PBDNJ dhe Vladimir Kumi kandidat i pavarur, prezantuan platformat e tyre dhe folën për sfidat për drejtimin e Bashkisë së re të Himarës. Ndërkohë kandidatja tjetër, Lefteri Prifti, e cila është në garë për këtë bashki nën siglën e Partisë Demokratike, nuk pranoi të përballej me rivalët e saj, pavarësisht ftesës.
Çështja e parë për të cilën folën tre kandidatët ishte zhvillimi ekonomik dhe turizmi në Bashkinë e re të Himarës. Jorgo Goro u shpreh se zhvillimi ekonomik i kësaj zone është i lidhur drejtpërdrejtë me turizmin, ndërsa shtoi se nuk do të lihen pas dore as bujqësia, blegtoria dhe frutikultura. Edhe kandidati i PBDNJ-së, Fredi Beleri, tha se zhvillimi i turizmit është kryesor, por sezoni është shumë i shkurtër. Kandidati i pavarur, Vladimir Kumi kritikoi qeveritë e kaluara, si dhe atë aktuale, duke i cilësuar si fajtore kryesore për gjendjen aktuale të Himarës.
Prioritet për zhvillimin e infrastrukturës dhe urbanistikës për zotin Goro duket se është plani aktual i zhvillimit, ndërsa tha se aktualisht janë duke u kryer punime të rëndësishme si në Himarë, po ashtu edhe në rrugët që lidhin fshatrat me qytetin. Fredi Beleri kritikoi kryetarin aktual të bashkisë, duke thënë se rregullimi i qendrave të fshtrave është vetëm iluzion i zotit Goro. Ai tha se për të rregulluar infrastrukturën nevojitet një strategji konkrete. Kumi ishte sërish kritik ndaj pushtetit qendror, duke thënë se ai ka qenë gjithmonë bllokuesi i projekteve për zonën e Himarës, ndërsa ngriti nevojën e një plani të madh infrastrukturor.
Për pronat dhe ndërtimet nevojitet një bashkëpunim urgjent me qeverinë dhe institucionet e tjera përkatëse për të zgjidhur çështjen e pronave”, tha Goro, i cili shtoi se aktualisht është duke u aplikuar një projekt pilot në Dhërmi lidhur me këtë çështje. Kandidati i PBDNJ-së, u shpreh se fillimisht do të synohet përcaktimi i kufijve të bashkisë së re, të fshatrave dhe më pas do të bëhet ndarja e pronave. Beleri tha se deri tani, prona kanë marrë vetëm punonjësit e administratës dhe të afërm të kryeplakut. Për zgjidhjen e problemit të pronës, Kume tha se është e nevojshme një ndërhyrje e menjëhershme në ligjin aktual dhe nëse kjo do të ndodh, ai i u zotua se këtë problem mund ta zgjidhë vetëm në një vit.
Mirëqenia sociale, përparësia ndaj qytetarit ishte pjesa e tretë e emisionit. "Do të krijojmë njësi në funksion të personave në nevojë që ne të shkojmë pranë tyre dhe jo ata të vijnë tek ne për problemet e tyre. Edhe hapja e fondeve të punësimit është një nga synimet tona. Do të krijojmë një shtëpi për moshën e tretë e në të njëjtën kohë edhe një shtëpi për fëmijët në breg të detit.”, u shpreh kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Do të synojmë një marrëdhënie sa më të mirë me qytetarët, tha Beleri i cili shtoi se Bashkia aktualisht është e mbyllur për qytetarët. Interesant ishte propozimi i zotit Kume, për sa i përket ndihmës sociale. Ai tha se ajo nuk duhet të jetë e njëjtët për të gjitha zonat, por të përcaktohet nga bashkia në bazë të të ardhurave të saj.
l.v
Add new comment