Edi Rama para mediave: 21 qershori, mbështetje për vazhdimin e reformave. Dhe një ndjesë mes rreshtash

Kryeministri Edi Rama komentoi para gjysmë ore në një konferencë për shtyp zgjedhjet e 21 qershorit dhe rezultatin e tyre. Rama i cilësoi lokalet 2015 si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri dhe i quajti një referendum pro reformave të qeverisë.
“Nuk kam pritur 21 qershorin për ta marrë vesh se shqiptarët duan me ngulm vazhdimin e reformave. 21 qershori është një shtysë e re për t’i vazhduar reformat. Shqiptarët e konfirmuan aleancën tonë si drejtimin e duhur. Lajmi i i mirë është se 9 kandidate janë gra, nga të cilat 8 nga ASHE. I uroj përzemërsisht për fitoren që të gjitha, përfshi edhe kryebashkiaken e re të Shkodrës”, tha Rama.
Nuk mungoi mes rreshtave dhe një kërkim ndjese për kostot që kanë prodhuar reformat e qeverisë:
“Nuk arrita të gëzohem plotësisht sepse për politikanët kjo është një fitore, por për ata që investojnë me votë është një investim apo një ankth që presin që t’iu kthehet. E ndiej fort dhimbjen e atyre që mund të mos shkonin fare në zgjedhje më 21 qershor por e bënë. Ju falenderoj që shkuat prapë kaq të shumtë në numër për të votuar. Ju falenderoj që na mbështesni për përpjekjen e mundimshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe nga lëngata”.
a.j
Add new comment