Veç në Shqipëri policët negociojnë plot empathi me kundravajtësit

Postuar në 15 Tetor, 2013 03:28

Po ju kallzoj një situatë, që ma kapën sytë dje, në Bllok. Një polic rrugor kish ndaluar pranë një makine që kish parkuar gabim. I zoti i makinës kish lënë dritat e bllokazhit ndezur, dhe ne të gjithë e dimë, se ky është një sinjal i koduar që thotë se shoferi është aty rrotull e do të kthehet shpejt. Janë të shumtë ata që parkojnë ku e kur t’u teket për një copë herë, dhe me ndezjen e bllokazhit e flejnë mendjen se tanimë janë në rregull, dhe se nuk ka pse të kenë panikun e gjobës. Por polici në fjalë nuk deshi t’ia dinte për këtë pakt të pashkruar mirëkuptimi urban, që këtyre anëve respektohet si të ish ligj e shkuar ligjit. Ai po bëhej gati të plotësonte fletën e gjobës, dhe deri këtu jemi ok. Shumë mirë po bënte. I zoti i makinës duhej gjobitur.

Mirëpo në momentin që ai po bëhej gati të mbushte fletën e gjobës, doli nga një derë atypari një djalë rreth të tridhjetave. Ishte i zoti i makinës, të cilin dikush e kish informuar mbi atë që po ndodhte. “Më fal”, i tha policit, duke iu avitur me pamje të penduar. Dhe kaq mjaftoi që ky i fundit të tërhiqej nga ideja e gjobës. “Koka e falur nuk pritet”, themi ne (është një moral që vjen, ndoshta, nga fabula biblike e djalit plangprishës), duke e marrë kotmëkot këtë pohim si një normë aksiomatike edhe në marrëdhëniet mes shtetit e shtetasve. Polici pra u kap nga një ngasje empathike, dhe pasi shkëmbeu ca fjalë me kundravajtësin, ndërroi mendim. Nuk ia vuri gjobën.

Kjo sjellje e kjo mendësi nuk është, sipas meje, një sjellje e mendësi prej polici. Ky i fundit do duhej të vepronte ndryshe, “pa asnjë mëshirë”. Shkurt, do duhej t’i thosh: “Unë vetë të kam falur, zotëri; por kjo nuk është një marrëdhënie mes meje e teje; është një marrëdhënie mes teje e ligjit; ësbtë ligji që nuk të fal, dhe unë këtu jam për të mbrojtur ligjin, e jo për të mirëkuptuar shkelësit e ligjit. Në këto rrethana nuk kemi se ç’të negociojmë. Ju keni shkelur ligjin, prandaj urdhëroni fletën e gjobës. Ditën e mirë!”

Marrë nga rubrika e 'Ditës'

Comments

Submitted by Anim (not verified) on

Ne princip jam plotesisht per veprimin e ligjit dhe ndeshkimit me gjob te te tilla veprimeve.
Ndeje e dritave te tilla quhet (jashte Shqiperise) si shenjë distresi......pra nese ka nje bllokim te menjehershem te trafikut, apo nje problem serioz te makinës. Shpesh perdoren edhe si nje shenje distresi kur makinat pas jane shume afer teje apo duke I ngare makines ne menyre te rezikshme. Perdoren (ne menyre jo te rregullt) shpesh edhe per ndalimin momental ne vende jo te lejueshme per parkim apo ne vende te ngjashme. Ndalim momenta,l ketyre aneve, nenkupton pikerisht kete...vetem per disa sekonda apo 1-2 minuta dhe je gjithmone ne riskun e gjobes qe nuk mund te diskutohet.
Por ne kontekstin shqiptar dhe ne realitetin e shkeljes ne çdo moment te cdo rregulli te mundshem te kodit te qarkullimit rrugor, si dhe ne percepsionin negativ qe kane pasur policet rrugor ne keto 23 vjete, mua me duket shkelja me e vogel. Dhe si e tille do te vleresoja me shume Bon-sensin e policit sesa shkeljen e shoferit/qytetarit.......me kushtin qe polici nga ana tjeter te mos toleronte shkelje te renda e te rezikshme te qarkullimit qe sjellin rrezikshmeri per jeten.
Vetem duke vendosur prioritete lidhur me luften dhe rrolin e policit ne edukimin qutetar dhe ndeshkimin e shkeljeve flagrante te qarkullimit do te mberrojme edhe ne tek niveli ku parkime te tilla "momentale" te denohen e gjobiten sic duhen. Kam frike se puna e policise deri me sot ka qene kryesisht duke u marre me shkeljet minimlae duke pasur frike dhe injoruar te marrurit me shkeljet e renda me pasoja vdekjeprurese, si perdorimi i rripit te sigurimit, perdorimi I sinjalistikes se makines, Respektimi I shpejtesise, Mbajtja e makines ne kushte optimale teknike etc.....

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.