Xhemajli, Berhami, dhe… mirëse erdhe Piro Dhima!

Kur shoh Xhemajlin e Berhamin që luajnë për Napolin, më kap herë pas here asosacjoni se ata janë shqiptarë (e di, është idiotike, por më duhet të them se është dhe i gëzueshëm ky asosacjon), e në të njëjtën kohë, gjithë kohën, e kam fare të lehtë t’i nxjerr që të dy jashtë një sfondi a konteksti etnik a kombëtar, gjë që e bëj dhe me suedezo-boshnjakun Ibrahimoviç, gjermano-turkun Ozil, gjermano-tunizianin Khedira, etj. Madje, të shumtën e kohës, pavarësisht asosacjonit të mësipërm, Behrami e Xhemajli, më sillen si dy profesionistë, dhe kaq.
Gjasat janë që ata të kenë zgjedhur të luajnë për Zvicrën nën cytjen e ambicjeve prej profesionisti. Këtë të fundit e them, ngaqë kështu duket se është, e jo ngaqë kjo ka ndonjë rëndësi. Edhe sikur të ishte ndryshe, edhe sikur pra ata të kenë zgjedhur të luajnë me Zvicrën prej krenarisë që u jep fanela që veshin e hymni që këndojnë, askush nuk do kish të drejtë ta qortonte këtë zgjedhje. Vërtet, me ç’logjikë dikush mund t’ia japë vetes këtë të drejtë? Ajo është një zgjedhje e tyre, dhe pikë. Ata nuk janë të zgjedhur nga populli, nuk kanë një mandat përfaqësimi elektoral a kombëtar, e prandaj nuk u kanë asnjë borxh turmave që lëshojnë britma denigrimi apo kryqëzimi nga shkallët e stadiumit e nga “shkallët” e rrjeteve sociale. Sa mirë do ishte sikur këta të fundit të ishin kaq shpërthyes e të paduruar edhe me klasat politike në Tiranë e në Prishtinë që nuk kanë lënë gjë pa plaçkitur! Mirëpo nuk janë. Përkundrazi, nuk është fare çudi që të jenë po këta njerëz që mbushin sheshet e tubimeve politike e që lëshojnë britma miratimi e admirimi për sundimtarët e tyre të liq.
Dhe këtu do duhej ta mbyllja, por meqë jemi te kjo temë, po jua rikujtoj se dje mbërriti në Tiranë Piro Dhima, peshëngritës shqiptar, pastaj peshëngritës grek, pastaj kampion bote, dhe sot deputet i PASOK-ut. Më vjen t’i them: Mirëse erdhe Piro Dhima! Dhe këtë nuk e them veç për t’i bërë karshillëk “gardianëve” putativë të dinjitetit nacional. E them edhe ngaqë më vjen natyrshëm për ta thënë. E për ta rithënë: Mirëse erdhe Piro Dhima!
Marrë nga rubrika 'Zululand' e Ditës
Add new comment